Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Fjala e Ambasadorit Christian Heldt me rastin e Konferencës ndërkombëtare: Zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë konfliktit në Kosovë

International Conference: Giving Voice to Survivors of Sexual Violence in Conflict in Kosovo, © Jahjaga Foundation
-- Vlenë fjala e thënë --
“Mirëdita dhe mire se keni ardhur të gjithë!
Më lejoni të thyej protokolin që të përshëndes së pari të mbijetuarat e dhunës seksuale të pranishme sot në këtë konferencë, meqë kjo është rreth jush dhe për ju.
Kryeministër, anëtarë të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës,
Të dashur kolegë nga kori diplomatik dhe institucionet ndërkombëtare,
Zonja dhe zotërinj, miq,
në konferencën e sotme bëhet fjalë për dhunën seksuale në konflikte, për stigmat dhe tabutë sociale, për muret mendore dhe respektin, për mbështetjen dhe integrimin. Nuk do mend se kjo është një temë shumë e dhimbshme dhe neveritëse për të dëgjuar dhe diskutuar në një ditë të bukur marsi. Pranvera po lulëzon, pse ta trazojmë me të kalurën e vështirë? Eh pra, e kaluara është tejet e gjallë dhe akoma në pritje të përgjigjeve dhe veprimit, më shumë do të dëgjojmë gjatë ditës.
I jam thellësisht mirënjohës ish-Presidentes Atifete Jahjaga me fondacionin dhe saj, ekipit të KB-ve në Kosovë me Ulrika Richardson si Koordinatore Residente që së bashku guxuam ta shtjellojmë sot këtë çështje të vështirë dhe komplekse. Të dy institucionet kanë rol të rëndësishëm në këtë, por ju mbase mund të shtroni pyetjen, pse jemi të përfshirë ne si Ambasadë Gjermane. Do të përpiqem ta shpjegoj dhe t’i ofroj disa elemente për këtë, meqë historia e dhunës seksuale nuk është e re dhe nuk e kursen askend:
Më lejoni t’Ju kthej prapa në kohë, në një pranverë tjerër më të largët në një vend tjetër, timin. Nga fundi i prillit deri në qershor të vitit 1945, një grua 34-vjeçare në Berlin ka mbajtur një ditar, duke përshkruar në të detaje të tmerrshme dhe fatin e grave të trajtuara si robër lufte. Rastet e tmerrshme të dhunës seksuale, dhunimet grupore, vetëvrasjet dhe traumat e mbetura neveritshëm bëhen realitet në atë ditar. Ky ditar për herë të parë u publikua jo në gjermanisht, por në anglisht në vitin 1954 – më pas u lartësua nga New York Times – dhe në 1955 u botua në holandisht. Autorja preferoi të mos bëhet e njohur me emër, kështu që libri mbajti titullin “Një grua në Berlin” nga “Anonima”. Vetëm në vitin 1959 një shtëpi botuese zvicerane pati guximin ta lansojë një edicion të vogël në gjuhën gjermane, të përcjellur nga një jehonë absolutisht shkatërruese në Gjermani: “amoralitet i paturp”, “gratë e pandershme gjermane”, ishin vetëm disa nga reagimet e shumëta. Autorja ishte thellësisht e indinjuar që rrëfimi për gratë e dhunuara u hodh tutje si diçka neveritëse dhe për rrjedhojë, ajo refuzoi të heq anonimitetin deri në vdekje. Kështu, vetëm në vitin 2001, kur ajo ndrroi jetë, ditari i saj u ripublikua për të marrë vëmendjen e plotë të shoqërisë gjermane nga viti 2003 e tutje. Por për gjysmë shekulli, Marta Hillers e mbajti sekretin e saj dhe e mori në varr, sepse shoqëria, e veçanërisht meshkujt nuk deshën të dëgjonin për të.
Ndoshta vendi im ka qenë rast i veçantë, mund të argumentojë njeriu: Gjermania e pati nisur Luftën e Dytë Botërore dhe kishte kryer vepra të tmerrshme brenda në Gjermani dhe gjithandej Europës, përfshirë abuzimin seksual. A ishin atëherë ato që iu ndodhën grave, vajzave të njoma dhe të moshuarave, një lloj hakmarrje, një lloj kthimi? Po pse gratë? A ato i kishin udhëhequr kampanjat anë e kënd kontinentit tonë, a ato kishin gjuajtur me armë, kishin bombarduar duke lënë pas të vdekur dhe shkaktuar terror, a ato kishin qenë në pushtet e kishin marrë vendime që pasi të kishin lënë pas gjurmët e shkatërrimit dhe asgjësimit, do të çonin Gjermaninë në atë që atë botë u quajt “ora zero” në 1945?
Shkatërrimi masiv u pasua nga një amnezi massive, pas Luftës së Dytë Botërore ishte e ndaluar çdo gjë që do të prishte tregimin për popullin gjerman që po zgjohej nga një makth i llahrtarshëm. Askush nuk ndihej përgjegjës, askush nuk donte të dinte çfarë kishte ndodhur. Dhe kështu, gratë që kishin përjetuar dhunë seksuale nuk ishin në gjendje të flisnin dhe sikur ta kishin bërë një gjë të tillë, do të kishin qenë të stigmatizuara në një shoqëri, e cila nuk donte të çante më kokën për tmerret që kishin ndodhur.
Një shoqëri e tërë që jetonte me një gënjeshtër të madhe dhe e paaftë për të ndihmuar shërimin e plagëve. Vetëm sa për t’Ju dhënë një parafytyrim vija të trasha të ndikimit të shifrave vetëm të përafërta në shoqërinë gjermane, edhe pse të saktat nuk do t’i dimë kurrë për shkak të stigmatizimit: vlerësimet variojnë në mes 1,2 dhe 2 milion gra të dhunuar në periudhën e pasluftës, me pothuajse një çerek milion gra të vdekura nga plagët, nga vetëvrasja, tentimet fatale për abort. Por mandej, të mbijetuarave, njejtë sikurse Anonimas, aturores së përmendur më herët, iu desht t’i durojnë vrragët post-traumatike deri në fund të jetës së tyre, duke mos pasur askend për ta ndarë dhimbjen, apo treguar mirëkuptim. Një nga të mbijetuarat më të njohura ishte një grua e cila mbase nuk do t’Ju ketë ardhur në mendje. Bashkëshortja e kancelarit tonë që shërbeu një kohë të gjatë, Helmut Kohl, Hannelore Kohl ka përjetuar një dhunim grupor në moshën dymbëdhjetëvjeçare në vitin 1945 në një vend afër Berlinit dhe, sipas fjalëve të saj, pas torturës ishte hedhur nga dritarja, si një thes cement. Një vajzë vetëm dymbëdhjetëvjeçare do të paguante atëherë një çmim për gjithë jetën e saj, me muret e heshtjes në shoqërinë gjermane. Të gjithëve na kujtohet buzëqeshja, portreti perfekt familjar me Helmut Kohlin, si një gjigant i politikës europiane për pothuajse 2 dekada me radhë. E megjithatë, gruaja e buzëqeshur përkrah tij, të kaluarën e saj të tmerrshme e kishte zbuluar në një fazë shumë të vonë të jetës.
Pse u desht të kalojë frikshëm shumë kohë për të thyer heshtjen memece? Ka mundësi që rrënjët ishin shumë më të thalla: Dhunimet prekën tabu që nuk janë karakteristike vetëm në shoqërinë gjermane. Sapo bëhet fjalë për dhunën seksuale kjo lidhet me nocionet si nderi apo turpi. Por nuk është logjikë perverse, kur shoqëritë bien në grackën e dhunuesve? Pse duhet të jetë e pandershme për viktimën e dhunës, a nuk është dhunuesi ai i cili, në fakt e çnderon veten duke kryer një krim të tillë? Dhe çfarë është turp: të mbijetosh dhunën seksuale, apo të lësh një person të familjes, fqinjin, shoqërinë tënde vetë me tmerret që ajo ka përjetuar? Dhe a nuk është shoqëria, duke stigmatizuar viktimat dhe të mbijetuarit duke e bërë saktë atë që dhunuest kanë dashur të arrijnë, të përhapin helmin e qëndrueshëm dhe ta mbajnë atë të gjallë?
Lufta e Dytë Botërore është dashur të jetë lufta që do t’u jape fund të gjitha luftërave, apo jo? Kjo së paku ishte ideja, kur u themeluarn Kombet e Bashkuara në vitin 1945, ky ishte mendimi fillestar i kontinentit të vjetër europian që po përpiqej të marrë veten pas miliona të vrarëve dhe tokave të shkatërruara. Çfarë iluzioni me më shumë se 250 luftëra anë e kënd botës që nga ajo kohë. Ndërkohë përqindja e të ashtuquajturve konflikte të brendshme po rritet në vazhdimsi duke arritur tani 90% në mbarë globin. Ky klasifikim në luftëra klasike dhe konflikte paraqet sfida gjithnjë e më të mëdha për bashkësinë ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për përgjegjësinë e krimeve të luftës. Ajo çështje e veçantë është gjithashtu qenësore për diskutimet tona: dhunimi është dhunim, pavarësisht a është kryer në “luftë”, apo në “konflikt”. Deri sa ne, si bashkësi ndërkombëtare po bëhemi gjithnjë e më të sofistikuar me fjalët që përdorim, mendjet e prishura po e shfrytëzojnë dhunën seksuale si pjesë të luftës sistematike. Këta njerëz e dinë shumë mirë sa mund ta lëndojë shoqërinë dhuna seksuale, një plumb në luftë mund të vrasë dikë fizikisht, por dhuna seksuale mund të vras shpirtin dhe të shkatërrojë mishin indin e shoqërisë. E kemi parë këtë të ndodhë në vitet 90 në tokën tonë të përbashkët europiane, këtu në Ballkan, e kemi parë në Irakun Verior me jazidët, ende po e shohim në rajonin e Liqenit të Madh në Afrikë dhe në shumë e shumë vende të tjera në botë.
Zonja dhe zotërinj, të dashur miq, këtë vit do të shënohet 20-vjetori i Rezolutës 1325 të KB-ve. Në New York, Kombet e Bashkuara po bëhen bashkë për të lansuar një veprim të ri për luftimin e dhunës seksuale në konflikte. Ne si Gjermani jemi thellësisht të bindur se kemi nevojë për nisma të tilla për të luftuar efektshëm ata, të cilët mendojnë se mund t’i ikin drejtësisë duke përdorur dhunën seksuale si mjet të luftës. Kjo mund të arrihet vetëm të bashkuar rreth një koalicioni të fuqishëm me Kombet e Bashkuara dhe me përkushtim të plotë të të gjithë anëtarëve të tyre. Kjo është arsyeja pse ne besojmë në multilateralizëm. Kjo është arsyeja pse ne si ushtrues detyre i kryesuesit të Këshillit të Sigurimit do ta ngrisim këtë çështje në prill dhe do ta sjellim atë para trupit më të lartë vendimmarrës në këtë planet. Lypsen marrë vendime, dhe ne si Gjermani jemi thellësisht të përkushtuar për të çuar përpara këtë iniciativë dhe trajtuar padënueshmërinë dhe heshtjen.
Krejt në fund, kam disa pika dhe pyetje personale: bëhet fjalë për përgjegjësinë, por përgjegjësinë individuale. Jo për grupe apo komunitete, as për drejtim gishti. Të gjitha komunitetet kanë kaluar nëpër këto tmerre – me që ra fjala, jo vetëm femrat – kështu që nuk bëhet fjalë për shifrat, por për vuajtjen dhe fatin individual. Në këtë kuptim, dhunimi mbetet dhunim, a ekzistoka dallimi në mes dhunës seksuale para dhe pas një date të caktuar në një konflikt të armatosur? A nuk është dhunimi dhunim, nëse kërkesa për njohje vjen pas periudhës aktuale? Parim udhëheqës duhet të jetë që të mbijetuarit të mos kalojnë sërish tmerret dhe që fati i tyre të mos vihet në pikëpyetje. Ata dhe ato duhet të mbështeten në të gjitha mënyrat dhe kohërat e mundshme.
Shoqëritë dhe shtetet, shërbimet publikedhe OJQ-të mund të bëjë shumë nëse provojnë të shërojnë shpirtat dhe trupat e lënduar, duke i mbështetur si nga aspekti psokologjik, ashtu edhe nga ai material. Mos më keqkuptoni: Kosova tashmë shihet si shembull i praktikës më të mirë duke ofruar pensionet e para për të mbijetuarit. Ju lutem vazhdoni këtë rrugë frymëzuese dhe përpiquni të bëni edhe më shumë në shërbimet shëndetësore, apo integrimin ekonomik. Në fushën administrative, a nuk do të ndihmonte të mbështetej Komisioni i Vlerësimit të Njohjes për të bërë punën e tij, meqë rastet janë komplekse? Ndihma mjeksore, veçanërisht terapia traumatike profesionale duhet të jetë më e qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse. Sërish: asnjeri që ndihmon, nuk duhet lënë vetë. Ata që ofrojnë ndihmë duhet të shtohen dhe mundi të mos u lihet vetëm atyre që janë të angazhuar personalisht. Kjo është një sfidë e thellë shoqërore, barrën e së cilës mund ta bartë vetëm shoqëria si e tërë dhe duhet ta bartë përmes institucioneve publike të pajisura mirë për të kryer këtë detyrë të guximshme. Na bëni me dije ku mund të ndihmojmë ne si bashkësi ndërkombëtare. Por sfida më e madhe nga të gjitha, në Kosovë dhe anë e kënd botës, është të mos lejohet të triumfojë helmi i dhunuesve: Dhe kjo mund të arrihet vetëm duke treguar respekt dhe bashkëndjenjë për të mbijetuarat: Ato do të vazhdojnë të durojnë këtë luftë, nëse shoqëria si tërësi nuk i përqafon dhe nuk ia jep ndjenjën e përkatësisë dhe të qenit të vlefshme. Kjo është ajo që ne si organizatorë po përpiqemi t’u japim të mbijetuarave sot: Ju nuk jeni vetëm, ne të gjithë jemi me ju dhe duam të angazhohemi t’ju ndihmojmë individualisht. Dhe me historitë tuaja dhe atë të ngjashmet nëpër botë, së bashku me të gjithë ju, ne si qeveri gjermane, duam të japim mbështetjen tonë për të lansuar një veprim të ri ndërkombëtar, i cili parandalon dhe sanksionon të gjithë ata që mendojnë se mund t’i ikin përdorimit të veprës së dhunës seksuale si mjet lufte, vetëm pse askush nuk brengoset.
Eh pra, le të dëgjohet gjithandej sot: Ju jeni të rëndësishme!
Ju faleminderit!”