Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala e Ambasadorit Christian Heldt me rastin e Presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian më 1 korrik 2020

Logo_DE

Logo_DE, © Zum goldenen Hirschen

30.06.2020 -

Zonja dhe zotërinj, të dashur miq,


Po jetojmë në kohëra të jashtëzakonshme: fakti që unë jam i kufizuar t’ju drejtohem nëpërmejt një videoje, tregon edhe një herë se deri në çfarë mase ka ndikuar tek të gjithë ne pandemia Corona, sa ka ndikuar ajo në jetët tona dhe politikëbërjen anë e mbanë globit. Kush do ta kishte menduar në janar gjatë hapjes zyrtare të Presidencës kroate se ku do të gjendeshim sot. Më lejoni që fillimisht ta falënderoj kolegen time kroate, Danijela Barisiq dhe ekipin e saj. Danijela, të faleminderit për energjinë tënde të pashterrshme për të mundësuar ngjarje të shumëta, megjithë Coronën, dhe faleminderit qeverisë tënde që ka siguruar dukshmëri dhe progres për Ballkanin Perëndimor. Ishte një sinjal tejet i rëndësishëm për të gjithë ne që jemi të angazhuar në këtë pjesë të Evropës. Dhe ne duhet të vazhdojmë insistimin në këtë: Ne këtu jemi në Evropë, edhe pse ende jo në BE. Gjithashtu dua ta falënderoj përzemërsisht edhe Përfaqësuesen Speciale të BE-së Nataliya Apostolova, e cila ka qëndruar me një energji mbi-njerëzore, duke punuar në mbështetjen e BE-së për këtë vend, megjithë vështirësitë dhe kundërshtimet. Faleminderit që na ke mbajtur të motivuar dhe në rrugën e duhur ne, familjen e BE-së. Nataliya, me pak fjalë: Faleminderit për të gjitha që ke ndarë me ne dhe për kujdesin ndaj nesh, shpresoj që gjithë angazhimi yt për Kosovën do të vlerësohet një ditë siq duhet.

Dhe ja tek gjendemi në fillim të Presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimin Evropian, nga e cila, kur i hedh një sy listës së gjatë të dëshirave, priten disa mrekulli. Më lejoni ta bëj të qartë që në fillim se nuk do të jemi në gjendje t’i bëjmë të gjitha.

Ne thjeshtë u desh të ristrukturojmë gjithçka për shkak të pandemisë Corona dhe të rimendojmë se si ta ngrisim Evropën sërish në këmbë. Prandaj motoja e Presidencës tonë që është publikuar vetëm para ca ditësh, thotë: „Së bashku për të rimëkëmbur Evropën“.

Ky edhe do të jetë prioriteti ynë më i lartë: Përpjekje e jashtëzakonshme për ta rigjallëruar dhe vënë Evropën sërish në lëvizje. Efektet qenë të tmerrshme për Evropën si tërësi dhe tek disa shtete patën ndikim veçanërisht të tmerrshëm. Tani gjendemi para ringritjes së shoqërive dhe ekonomive tona, pas krizës përgjithsisht më të rëndë që e ka goditur kontinentin tonë që nga Lufta e Dytë Botërore. Theksi i veçantë qëndron në fjalën „së bashku“, sepse kjo është ajo që e përbën Evropën. Pandemia na ka shtyrë të vlerësojmë sërish të gjithë vlerat që përfaqëson Evropa.

Për tërë sistemin tonë ekonomik, ne tani kemi mundësinë të hedhim një hap në zhvillimin ekonomik dhe ta forcojmë Evropën, e cila po përballet me një botë në ndryshim. Tani në shprehje vjen inovacioni, ekonomia e gjelbër, sepse sfidat klimatike edhe më tej mbeten kërcënim. Ne duhet të gjejmë përgjigje për gjeneratat e ardhshme dhe të sigurojmë një të ardhme prosperuese. Dhe e ardhme prosperuese, do të thotë ardhme e qëndrueshme. Ky është thelbi i Marrëveshjes së Re të Gjelbër të Komisionit Evropian, sepse nëse duam të mbetemi relevant, nuk mund të mbështetemi më në zgjidhjet e së kaluarës.

Kështu ne do të përballemi me një përpjekje të paprecedent brenda BE-së që do të na vendosë në një rrugë paprecedent të barabartë drejt rimëkëmbjes. Kjo do të kërkojë shumë kohë, energji dhe resurse. Bota jashtë BE-së do të na sjell një sërë sfidash që ndërlidhen me tejkalimin e pasojave të virusit Corona me çështje globale, si ndryshimet klimatike, me konflikte dhe sfida të sigurisë, me visionin tonë për multilateralizëm.

E çfarë do të thotë kjo për Kosovën? Më lejoni të filloj me disa komente rreth zhurmës që e kemi dëgjuar në javët dhe muajt e fundit të goditjeve të vazhdueshme ndaj BE-së dhe sulmeve personale ndaj disave që janë ndër mbështetësit më të fuqishëm të këtij vendi. Këta zëra negativë duket se mendojnë që gjersa ne vazhdojmë të jemi të mirësjellshëm dhe nuk biem në nivelin e ulët të diskutimeve, do të thotë se jemi naivë. E pra, është gabim, sepse ne po i marrim në dijeni të gjitha. Pas shuarjes së Ministrisë së Integrimit Evropian ne po shikojmë nga afër, nëse dhe si qeveria e re do t’i vendos prioritetet e ndërlidhura me agjendën evropiane në të ardhmen. Ne po vëzhgojmë nga afër kthimin e njerëzve të caktuar në funksione nëpër ministri, derisa në të njejtën kohë po lartësohet premtimi për të luftuar korrupcionin.

Me që e përmenda këtë, më lejoni të theksoj tri çështje të mëdha, të cilat do të jenë në fokus të gjashtëmujorit të ardhshëm në Kosovë, përveç temave të përgjithshme të sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupcionit: sfidat e pandemisë, dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave.

  1. Tejlakimi i pasojave shoqërore ekonomike të shkaktuara nga pandemia

Do të nevojiten shuma të mëdha dhe përpjekje të jashtëzakonshme për të rivendosur ekonominë e Kosovës në rrugën e duhur dhe për të zhvilluar një model më të qëndrueshëm dhe të sigurtë për ekonominë. Për t’iu përgjigjur atyre që akuzojnë BE-në për „fjalë, pa vepra“, hidhuani një sy këtyre diagramëve: për shembull, përgjatë vitit 2019 kjo është ajo çfarë BE dhe vendet anëtare të tij i kanë dhënë Kosovës. Dhe tani ndihma veçanërisht për përballje me virusin Corona. E shihni çfarë po bën bashkësia ndërkombëtare? E shihni çfarë po bën BE?

Mirëpo çfarë shohim ne këtu në Kosovë? Kuvendi i paaftë për të ratifikuar pako të ndihmave ndërkombëtare, thua se ato janë çështje vetëm për zënka mes partive dhe jo pikëmbështetje thelbësore e rimëkëmbjes socio-ekonomike. Mandej programi qeverisës që përfshinë pika që propozime për shpenzim të pafund të parasë. Një autostradë në Perëndim të vendit, kur lidhjet për Pejë dhe Mitrovicë nuk kanë përfunduar akoma, ju bën të mendoni rreth shpenzimit të parasë. Kjo autostradë me koston e planifikuar arrin një shumë që është pothuajse sa gjysma e buxhetit vjetor. Në të njejtën kohë ne të gjithë jemi dëshmitarë të pasojave të një nënfinancimi kronik të sistemit të shëndetësisë, apo sektorit të arsimit, donatorët më të mëdhenj të të cilit janë BE dhe Gjermania. Ose rishfaqja e idesë së ndërtimit të një termocentrali të energjisë me linjit, një ide që është një kundërshtim flagrant me legjislacionin e BE-së dhe për të cilën nuk ka mundur të sigurohet financimi. Nëse bëhet fjalë vetëm për kërkesat e dyshimta për kompenzim përkitazi me një projekt të veçantë, 20 milion Euro bëjnë 50.000 paga mesatare mujore në Kosovë. A duhet BE, e cila sipas disave, ka vetëm fjalë, kjo BE me pakon e saj të mbështetjes të paguaj kompenzimin për ato pjesë, të cilat qeveria nuk është në gjendje, apo nuk është e vullnetshme t’ia ofrojë popullit? As në Bruksel e as në shtetet anëtare nuk ka pemë, në të cilat rriten paratë. Çfarë ne duam të bëjmë, është të ndihmojmë dhe mbështesim politikat dhe projektet që kanë kuptim për njerëzit dhe vendin.

  1. Dialogu

Ekzistojnë disa thashetheme se dialogu me Serbinë zhvillohet rreth lojërave gjeopolitike, dhe se BE nuk mërzitet fare për interest e Kosovës brenda një zgjidhjeje të qëndrueshme. Është plotësisht e kundërta. Pse atëherë, ju pyes, do të duhej të angazhoheshin aq shumë akterë politikë gjithandej Evropës dhe gjithashtu në kryeqytetin tim, në Berlin? Sepse kemi mungesë së sfidave ndërkombëtare? Jo, ne duam që Kosova dhe Serbia t’i zgjidhin çështjet mes vete një herë e mirë, por vërtetë t’i zgjidhin ato e mos t’i lënë të hapura për të ardhmen. Kjo tashmë ka marrë shumë kohë. Ne duam që Kosova përfundimisht të jetë brenda një hapësire përgjithsisht të sigurtë në rrugën e saj drejt integrimit në evropian dh evro-atlantik. Por kjo në masë të madhe do të varet nga palët kontraktuese – BE nuk do ta kryej punën për to. Andaj nevojitet përgatitje serioze, unitet serioz për angazhim në punë, pa lojëra të hedhjes së fajit, apo viktimizim. Miroslav Lajçak e ka dëshmuar përkushtimin e tij gjatë raundit të parë të bisedave në Prishtinë dhe Beograd: Ne, BE, e kemi me gjithë mend. Dhe ne do të jemi në këtë rrugë bashkë me ju, por për këtë presim angazhimin e nevojshëm këtu.

  1. Liberalizimi i vizave

Dua të jem shumë i qartë edhe në këtë pikë. Pasi Ambasada Gjermane është ambasada që lëshon më së shumti viza në këtë shtet, nuk kam nevojë për ligjerata rreth kësaj çështje nga njerëz me dy dhe tre pasaporta. Po, ne duhet ta zgjidhin këtë sa më shpejtë të jetë e mundur. Ndryshe nga ç’besojnë disa akterë politikë, ne diplomatët dalim jashtë dhe flasim me njerëz, të cilët janë shumë larg fluskave politiko-diplomatike. Ne jemi të vetëdijshëm për frustrimin dhe e ndajmë atë. Veprat dhe fjalët e disave që marrin vëmendjen e një audience ndërkombëtare, në të vërtetë ende nuk po i qetësojnë vendimmarrësit në Evropë. Dhe kjo, unë mendoj se është e padrejtë. Kur të vijë liberalizimi i vizave, dhe unë personalisht shpresoj që kjo do të ndodhë shumë shpejtë, kjo nuk do të jetë për shkak se disa tani po flasin me zë të lartë. Por do të ndodhë për shkak të shumicës së heshtur anonime të qytetarëve të këtij vendi që punon me zell dhe i bindet ligjit. Do të ndodhë për shkak të gjeneratës së re e cila më në fund meriton të zbulojë BE-në pa procedura të gjata dhe pengesa. Janë këta njerëzit që e kanë vëmendjen dhe simpatinë tonë që më në fund të mund të udhëtojnë lirshëm, sikurse fqinjët e tyre në rajon.

Për ta përfunduar: Këta janë gjithashtu njerëzit në të cilët ne besojmë. Kosova ka njerëz të mrekullueshëm dhe një potencial të jashtëzakonshëm. Kjo është ajo çfarë ne duam të shohim të zhvillohet më tej, këta janë njerëzit në të cilët duam të përqendrohemi. Gjithë ajo punë që po bëjmë këtu për më shumë se 20 vjet, nuk është për t’iu pëlqyer politikanëve, apo partive të caktuara, por për ta sjellur vendin dhe qytetarët e tij atje, ku ata përkasin. Kosova është pjesë e Evropës. Kosova një ditë do të bëhet anëtare e çmuar e BE-së. Për këtë pritet angazhim serioz nga partnerë seriozë këtu për punë serioze. Sot është 1 korriku, dita e fillimit të Presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe sot ne shtrijmë dorën dhe themi: Le ta fillojmë punën!

Ju faleminderit.