Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala virtuale e Ambasadorit Rohde me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë 2020 

Botschafter Jörn Rohde zum TDE 2020

Botschafter Jörn Rohde zum TDE 2020, © Deutsche Botschaft Pristina

01.10.2020 -

Zonja dhe zotërinj,

Sehr geehrte Damen und Herren, Liebe Landsleute,

herzlich willkommen, mirë se keni ardhur, srdačno dobrodošli, welcome,

bashkë me bashkëshorten time dhe gjithë familjen e Ambasadës Gjermane, do të doja t’ju falënderoj që na u bashkuat virtualisht për të festuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Ky është bërë realiteti i ri në kohën COVID-it.

Të dashur miq,

Ky vit shënon 30-vjetorin e një prej momenteve më të lumtura dhe vendimtare në historinë më të re gjermane – ribashkimin tonë. Askush, as familja ime nga ana e babait që ka jetuar prapa Murit – nuk e ka besuar se kjo do të ndodhë. Megjithatë, kur më 9 nëntor 1989 Muri i Berlinit u rrëzua, këto ngjarje vunë në lëvizje një proces, i cili nuk mund të ndalej. Fill më pas, kjo ngjarje kulminoi në ribashkimin zyrtar të të dy Gjermanive, më 3 tetor 1990. Sot ne e festojmë këtë revolucion paqësor dhe rrëzimin e Murit të Berlinit që çoi në këtë Bashkim, sikurse edhe lirinë demokratike, të cilën shpesh herë e marrim për të mirëqenë.

Kjo copëz betoni, të cilën e kam thyer vetë nga Muri i rrëzuar ë Berlinit për mua është një kujtim i atyre ditëve të lumtura. Njerëzit në Gjermaninë Lindore dhe gjithandej Evropës Lindore donin të njejtën gjë që ne në Gjermaninë Perëndimore e gëzonim që nga viti 1949: një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, sundim të ligjit, liri të fjalës dhe liri për të udhëtuar. Forca lëvizëse që e nisi këtë revolucion paqësor u vetëquajt "Bürgerrechter", "Aktivistë të të Drejtave Qytetare". Ata u ballafaquan me diktaturën në RDGJ duke synuar një të ardhme më të mirë me kërkesën "Wir sind das Volk!" "Ne jemi populli!". Ky sllogan shumë shpejtë u ndryshua në ‘Wir sind ein Volk’ – ne jemi një popull!

Megjithë faktin se procesi i ribashkimit të vërtetë - i adresimit të pabarazive të mëdha sa I përket standardit të jetës, perspektivës ekonomike dhe mundësive për të rinjtë gjermanë në Lindje dhe Perëndim të vendit - ka marrë shumë kohë dhe akoma nuk është përmbyllur, ribashkimi është një sukses. Për mua, ky përvjetor gjithashtu shënon 30 vjet të punës së vështirë, solidaritetit të jashtëzakonshëm dhe investimeve të popullit gjerman në Lindje dhe Perëndim për ta kthyer ribashkimin në sukses. Edhe sot, secili taksapagues gjerman kontribuon në këtë process përmes të ashtuquajturës "taksë e solidaritetit", duke e bërë ribashkimin një realitet që mund të ndjehet në të gjitha pjesët e vendit.

Të dashur miq,

një shenjë tjetër që dëshmon se ribashkimi qe i sukseshëm është kancelarja jonë: Angela Merkel – një gjermano lindore – e udhëheq Gjermaninë prej 15 vjetësh. Një tjetër gjermano lindor, Joachim Gauck shërbeu si president i Gjermanisë në vitet 2012-2017. Rëndësi të njejtë për mua ka fakti se partnerët tanë ndërkombëtarë ishin përkrah nesh gjatë këtyre

kohërave dhe vendimi ynë për të përqafuar idenë e të qenit pjesë e familjes evropiane na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë. Kështu, sot Gjermania është e rrethuar nga fqinjë që janë miq tanë dhe që e kanë mbështetur ribashkimin dhe integrimin në BE.

Me fundin e Luftës së Ftohtë, Evropa u bashkua më shumë se kurrë. Dhe ky process vazhdon akoma.

Të dashur bashkatdhetarë,

ky përvjetor i 30. i ribashkimit është një ditë shumë e veçantë për ne gjermanët. Mëkat që këtë ditë nuk mund ta festojmë së bashku. Por këtë do ta bëjmë më vonë, ju premtoj!

Dua të shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj edhe personalisht që edhe më tej – edhe në këto kohëra të vështira – ju po e vazhdoni punën tuaj të rëndësishme në këtë vend. Me këtë ju jepni kontributin tuaj në përmirësimin e kushteve të jetës dhe me angazhimin tuaj personal e ruani miqësinë tonë gjermano-kosovare. Për këtë dua t’ju falënderoj.

Të dashur miq,

Këtu në Kosovë ne po i mbështesim përpjekjet për të normalizuar raportet e saj dhe – përfundimisht – për të punuar drejt integrimit evropian të të gjithë rajonit, për t’a liruar potencialin e të gjithë qytetarëve në rajon dhe më gjerë.

Gjermania dhe BE-ja po investojnë këtu në këtë process: në vitin 2019 BE-ja dhe shtetet e saj anëtare si tërësi kanë investuar më shumë se 194 milion Euro – më shumë se të gjithë donatorët e tjerë së bashku. Ndërsa këtë vit, duke qenë të ballafaquar me pandeminë COVID, ne shumë shpejtë ndamë 171 milionë Euro shtesë për të adresuar nevojat imediate në shëndetësi dhe në rimëkëmbjen ekonomike.

Me Gjermaninë që tani e mban Presidencën e Këshillit të BE-së ne po e mbajmë rajonin në axhendë. Zgjerimi i BE-së dhe procesi i bashkimit të BE-së duhet të vazhdojë. Megjithatë është e qartë se nevojitet shumë punë e vështirë për ta kthyer këtë ëndërr në realitet.

Hapat në këtë rrugë drejt integrimit kanë nevojë për përkushtim të përditshëm: zbatimi i sundimit të ligjit, luftimi i padënueshmërisë dhe korrupcionit, përmirësimi i qeverisjes për të mundësuar zhvillimin ekonomik, standarde më të mira të jetës dhe ndjekja e një vizioni të qartë për atë se ku do ta çojë perspektiva evropiane Kosovën dhe tërë rajonin.

Le ta përqendrojmë të gjithë angazhimin tonë në një vision kolektiv për këtë rajon.

Pas tri dekadash të jetës në një Gjermani të bashkuar, një gjeneratë e tërë është rritur pa kujtime për Murin e Berlinit, apo kufirin e brendshëm gjerman.

Le ta festojmë këtë Ditë të Bashkimit të Gjermanisë si një ditë që simbolizon gjithë këtë: që përkushtimi kolektiv për një vision të përbashkët të demokracisë, solidaritetit, bashkësisë, diversitetit dhe lirisë do të çojnë në një të ardhme më të mirë për të gjithë.

Herzlichen Dank! Faleminderit! Hvala! Thank you!