Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Fjala e hapjes së Ministrit Federal të Punëve të Jashtme Heiko Maas në takimin virtual të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit

Bundesaußenminister Maas, © Auswärtiges Amt
Berlin, më 8 qershor 2021
Kolegë,
zonja dhe zotërinj,
të dashur miq,
prej më shumë se një viti, virusi ka ndryshuar rrënjësisht jetët tona. Menaxhimi i krizës së Covid-it vazhdon të jetë pjesë e punës sonë të përditshme. Por në të njëjtën kohë ka arsye të jemi optimistë:
Në të gjitha vendet tona, pavarësisht gjithë vështirësive, procesi i vaksinimit është duke u zhvilluar me ritme më të shpejta – mundësuar kjo nga bashkëpunimi dhe solidariteti shumëpalësh. Do të kishim dashur të kishim ndihmuar më shpejt, por COVAX dhe Bashkimi Evropian kanë lëvruar tanimë vaksina në Ballkanin Perëndimor, dhe mbështetje e mëtejshme është duke ardhur për sistemet tuaja shëndetësore dhe ekonomike.
Nisur nga një progres i tillë kemi arsye të projektohemi në perspektiva më afatgjata – për një ringritje të përmirësuar të sistemeve tona ekonomike, politike dhe shoqërore në të ardhmen.
Kjo është ajo që duam të bëjmë gjatë konferencës së sotme – ndaj ju uroj ngrohtësisht mirëseardhjen. Pres me kureshtje fjalën e gjithsecilit prej jush, por më lejoni fillimisht disa shënime nga këndvështrimi ynë.
Për Ballkanin Perëndimor ringritje e përmirësuar do të thotë të jesh ambicioz – sepse qytetarët tuaj kanë pritshmëri të larta:
Prej qeverive të tyre ata presin përgjegjshmëri, shërbime publike të besueshme dhe progres ekonomik.
Ndërsa nga Bashkimi Evropian dhe shtetet e tij anëtare ata kërkojnë një itinerar të besueshëm për vendet e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Të gjitha këto tema përbëjnë zemrën e Procesit të Berlinit. Qysh se ky proces nisi në vitin 2014, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar një sërë arritjesh:
- Zyra Rajonale për Rininë dhe Bashkëpunimin ka ndërlidhur mijëra të rinj përtej kufijve kombëtarë.
- Gjatë pandemisë vendet tuaja krijuan “Korridoret e Gjelbra” duke lejuar kështu transportin e mallrave përmes kufijve megjithë masat kufizuese të Covid-it.
- Muajin e ardhshëm një marrëveshje e re do të shfuqizojë tarifat roaming në rajon, duke bërë të mundur që bizneset dhe ruajtja e kontakteve me miqtë dhe familjarët të kushtojnë shumë më pak.
- Dhe gjatë takimit të Procesit të Berlinit vitin e shkuar ju lançuat më ambiciozin e projekteve deri më tani: një treg të përbashkët rajonal.
Të dashur kolegë,
këto janë arritje të rëndësishme. Por duke kthyer vështrimin pas vitin e shkuar shohim progres të paktë në fusha të tjera. Dhe unë e kuptoj plotësisht frustracionin që shkakton kjo gjë në rajonet tuaja.
Ndaj le të dyfishojmë përpjekjet tona të përbashkëta në tri çështje.
Së pari, duhet të lëvizim me procesin e zgjerimit.
E ardhmja e të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian – Gjermania mbetet plotësisht e angazhuar në arritjen e këtij qëllimi.
“Bëni ju – bëjmë ne” kjo duhet të mbetet qasja jonë ndaj zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Nga njëra anë, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të konsolidojnë shtetin ligjor, të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të mbrojnë lirinë e medias dhe krijojnë hapësirë për prosperimin e demokracisë.
Reforma të tilla ndër të tjera do tërheqin investime të huaja më të mëdha, do sigurojnë perspektivë për të rinjtë duke ndalur kësisoj fenomenin e “brain drain” nga rajoni juaj.
Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian duhet t’i qëndrojë angazhimit të tij.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë progres të qëndrueshëm në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me Marrëveshjen e Prespës Shkupi dhe Athina treguan lidership politik me rëndësi historike.
Kjo është arsyeja pse bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të nisin tani. Falënderoj Presidencën Portugeze për marrjen përsipër të kësaj detyre për më tej – do të ketë mbështetjen tonë të plotë!
Më lejoni të jem i qartë: të gjithë ne e dimë që politika e brendshme mund të kufizojë hapësirën e lëvizjeve në politikën e jashtme. Kuptojmë gjithashtu që çështje të caktuara të historisë dhe identitetit janë delikate. Por çështje të tilla dypalëshe nuk do të duhej të pengonin gjithë procesin e anëtarësimit.
Dhe meqë jemi duke folur për pragmatizëm, unë besoj gjithashtu që ne si Bashkim Evropian duhet më në fund të realizojmë liberalizimin e vizave për Kosovën, si vendi i vetëm në rajon i mbetur jashtë lehtësimit të udhëtimeve drejt Bashkimit Evropian.
Së dyti, le të përpiqemi më fort për bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon. Të gjitha kombet në mbarë Evropën mbartin në vetvete barra të historisë. Por historia nuk duhet të na pengojë të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët.
Kohët e fundit kam vizituar Beogradin dhe Prishtinën për të biseduar rreth dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar prej Bashkimit Evropian.
Mesazhi ynë është i qartë, pikërisht që një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë jo vetëm do të rriste stabilitetin në rajon, por edhe do të zhbllokonte perspektivat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të dyja vendet.
Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell dhe të të Ngarkuarit të Posaçëm Miroslav Lajčák për ta shndërruar këtë në realitet.
E njëjta gjë vlen për Bosnje dhe Hercegovinën. Më shumë se 25 vjet pas Dejtonit shohim një ngërç shqetësues dhe retorikë agresive.
Sot pasdite do të shpallet vendimi i apelit në çështjen kundër Ratko Mladić, që na ndërmend luftrat e frikshme të viteve ’90, përfshirë aktet e gjenocidit, vrasjeve në masë dhe pastrimeve etnike.
Këto kujtime të tmerrshme duhet të na çojnë drejt përfundimit, që e ardhmja Ballkanit Perëndimor është paqja dhe demokracia.
Udhërrëfyesi evropian për Bosnje dhe Hercegovinën është i qartë, janë pikërisht 14 prioritetet kyç të Komisionit Evropian.
Krahas kësaj, me rëndësi thelbësore mbetet Zyra e Përfaqësuesit të Lartë. Për këtë arsye i jam mirënjohës Christian Schmidt-it dhe atyre që mbështetën emërimin e tij si Përfaqësues i Lartë. Ai do të ndihmojë, që Bosnje dhe Hercegovina të vendosen sërish në agjendën ndërkombëtare!
Dhe në fund më lejoni të theksoj rolin e shoqërisë civile në promovimin e pajtimit dhe dialogut. Pas pak do të dëgjojmë më shumë rreth rrezultateve të Forumit të Shoqërisë Civile të Procesit të Berlinit, që u mbajt javën e shkuar.
Kjo më sjell në pikën time të tretë – progresi drejt Takimit të Procesit të Berlinit në korrik.
Ju inkurajoj fuqimisht të angazhoni të gjitha energjitë tuaja me qëllim që ky samit të shndërrohet në sukses për njerëzit në rajon:
- Në mënyrë të veçantë, Marrëveshja për Levizjen e Lirë me karta identiteti do t’u japë hov tregtisë dhe udhëtimeve.
- Në mënyrë të ngjashme zona e unifikuar e vizave sikundër njohja reciproke e kualifikimeve akademike dhe profesionale do t’ua bëjnë jetën më të lehtë shumë qytetarëve tuaj.
Të dashur miq,
pandemia tregoi se pjesa më e madhe e sfidave me të cilat përballemi nuk ndalen para kufijve kombëtarë.
Për një Ballkan Perëndimor të begatë e të paqtë nevojitet që të gjitha vendet të bashkojnë duart – me pragmatizëm dhe kurajo, realizëm dhe ambicie.
Zgjedhja është në dorën tuaj – Gjermania është gati të japë mbështetjen e saj.
Shumë faleminderit!