Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Udhëtim në Ballkanin Perëndimor

Porträtfoto von Annalena Baerbock

Bundesaußenministerin Annalena Baerbock, © Thomas Imo/photothek.net

10.03.2022 -

Artikull nominal i Ministres Federale të Punëve të Jashtme – Udhëtim në Ballkanin Perëndimor


Që prej dy javësh e paimagjinueshmja është realitet i hidhur – një luftë në mes të Evropës sonë të përbashkët. Presidenti Putin thotë, se ai po vepron në Ukrainë për vetëmbrojtje. Por e gjithë bota e pa se si ai, për muaj me rradhë, mblodhi trupat ushtarakë në përgatitje për sulmin e tij. Presidenti rus thotë, se atij i duhet të mbrojë qytetarët rusishtfolës nga agresioni. Por e gjithë bota mbarë po sheh, se si ushtria e tij po bombardon shtëpitë e ukraineseve dhe ukrainasëve rusishtfolës në Kharkiv. Ai thotë, se Rusia është duke dërguar trupa paqeje në Ukrainë. Por tanket e tij nuk sjellin paqe – vetëm vdekje dhe shkatërrim.

Lufta e Presidentit Putin ka vrarë tanimë mijëra, ka ndarë qindra mijëra familje dhe ka dëbuar më shumë se 2 milionë njerëz nga shtëpitë e tyre. Njerëzit nisen drejt një të ardhmeje të pasigurt larg prej atdheut e të dashurve të tyre vetëm me një qese plastike në dorë. Presidenti rus me luftën e tij sulmon jo vetëm Ukrainën, por edhe paqen tonë evropiane dhe rendin tonë ndërkombëtar. Lufta e tij po shenjon një ndryshim epokal: Ai kërkon që në Evropë të rivendoset e drejta e – kinse – më të fortit dhe për këtë ushtron një politikë agresive superfuqie.

Por është e kundërta e forcës të sulmosh fqinjin tënd më të vogël.

Lufta e Presidentit Putin po çon drejt katastrofës jo vetëm Ukrainën, por edhe Rusinë. Regjimi i tij është izoluar në dimension ndërkombëtar. Askund tjetër nuk ka qenë kjo më e dukshme se në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e shkuar: ajo votoi me shumicë dërrmuese në mbështetje të një rezolute, e cila pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë i vuri vulën e një shkeljeje ulëritëse të së drejtës ndërkombëtare. Qëndrimi i përbashkët, që të gjitha shtetet me të drejtë vote të Ballkanit Perëndimor dhe Gjermania mbajtën në këtë kontekst, ishte një pozicionim i përbashkët i fortë e i rëndësishëm. Sepse pikërisht në momente si këto të tanishmet duhet të qëndrojmë të bashkuar: për vlerat evropiane, të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara – dhe kundër agresionit në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Këtu vlejnë gjithashtu sanksionet e paprecedenta të BE-së, përmes të cilave ne bëjmë të qartë: Me atë, i cili thyen rregullat ndërkombëtare, nuk mund të ketë marrëdhënie normale ekonomike dhe financiare.


Lufta sjell vdekje dhe shkatërrim – askush në Evropë nuk e di këtë më mirë se ju, njerëzit në Ballkanin Perëndimor. Pamjet me familjet në arrati dhe qytetet në flakë në Ukrainë: kjo risjell kujtime në momentet më të zymta, kur lufta solli vuajtje të paimagjinueshme mes njerëzve në Ballkanin Perëndimor. Dhe ato na tregojnë, që paqja e sotme në Ballkanin Perëndimor me gjasë nuk është perfekte – por është e vyer: për nënat dhe baballarët, fëmijët e të cilëve sot frekuentojnë shkolla dhe universitete në Sarajevë, Beograd apo Prishtine, në vend që të bien në luftë si ushtarë. Dhe e vyer për Evropën, pasi pa një Ballkan Perëndimor në paqe, instabiliteti kërcënon gjithë kontinentin tonë.

Ndaj unë shqetësohem së tepërmi, kur shoh rindezjen e konflikteve të vjetra në rajon: postime në Tweet dhe postera, që glorifikojnë kriminelët e luftës. Grindje për çështje statusi, që përshkallëzojnë në kërcënime dhe dhunë. Politikanë funksionarë, që kërkojnë të minojnë integritetin e një shteti të tërë, sepse kjo u shërben interesave të tyre personale. Të gjitha këto dëmtojnë jo vetëm Ballkanin Perëndimor, por të gjithë ne në Evropë.

Ndaj këtu nuk duhet të hedhim sytë mënjanë – në mënyrë të veçantë jo sot, kur paqja në fqinjësinë tonë të përbashkët po thyhet sërish në mënyrë kaq të hapur.

Prandaj për ne si Qeveri e re Federale Gjermane situata në Ballkanin Perëndimor është kaq e rëndësishme. Për mua si Ministre e Jashtme Gjermane, e ndikuar në rininë time nga imazhet e tmerrshme të luftrave në Ballkanin Perëndimor – paqja dhe perspektiva evropiane atje kanë prioritetin më të lartë. Këtë e nënvizoj dhe përmes udhëtimit tim aktual, qysh në fillim të marrjes së detyrës sime, në Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Dhe si Qeveri Federale ne kemi emëruar një Të Ngarkuar të Posaçëm për Rajonin, Manuel Sarrazin

Për mua politika e jashtme nënkupton jo vetëm të kryej vizita në kryeqytete por dhe të dëgjoj shqetësimet dhe problemet e shumë njerëzve në vendet e tjera – sidomos tek ju. Ne jemi të bashkuar në një objektiv të përbashkët: në kohë të pasigurta të sigurojmë paqen, që do ta ankoronte edhe më fort rajonin tuaj në Evropën tonë të përbashkët.

Për këtë qëllim në gjykimin tonë janë të nevojshme tre gjëra: pajtim, demokraci të forta dhe ekonomi të ndërthurura në një rrjet.


Pajtimi është i pamundur pa kujtesën – dhe ky është mësimi që kemi nxjerrë nga historia jonë gjermane. Por fantazmat e të shkuarës nuk duhet të na bllokojnë rrugën drejt të ardhmes. Prandaj është kaq e rëndësishme, që komuniteti ndërkombëtar mos ta lejojë, që politikanë të veçantë në Bosnje dhe Hercegovinë të destabilizojnë shtetin e tyre me fjalë dhe veprime urrejtjeje – ky do të ishte një rrezik për mbarë rajonin. Edhe në dialogun e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës duhet që të dyja palët të tejkalojnë veten – me kurajo dhe pragmatizëm.


Pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore – gjatë së cilës Gjermania solli vuajtje të patregueshme në Ballkanin Perëndimor – pas vitit 1945 ne ndërtuam Evropën tonë të përbashkët mbi kolonat e demokracisë dhe shtetit ligjor. Dera e shtëpisë sonë evropiane qëndron e hapur – edhe jeta e njerëzve në Ballkanin Perëndimor duhet të mbështetetet në këto kolona dhe vendet e tij të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Për këtë qëllim atyre u nevojiten gjykatës, që të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. U nevojiten nëpunës, që vinë në ndihmë të qytetareve dhe qytetarëve pa u korruptuar. Dhe si demokraci të forta atyre u nevojitet një pluralizëm, që autorëve të mediave t’u lejojë raportimin kritik dhe të lirë.


Shteti ligjor është gjithashtu baza për suksesin ekonomik. Gjermania mbetet partneri më i rëndësishëm i Ballkanit Perëndimor në tregti dhe investime. Në të ardhmen ne duam të lidhemi në një rrjet marrëdhëniesh më të ngushta me rajonin sa i përket tranzicionit të energjisë përmes politikës sonë të jashtme në çështje të klimës. Qeveria e re Federale do të vijojë më tej edhe Procesin e Berlinit të startuar nga Gjermania në vitin 2014, i cili ka arritur deri më tani shumëçka referuar bashkëpunimit rajonal – konkretisht rrjeti rinor RYCO dhe heqja e tarifave roaming. Tani rëndësi ka që të zbatohet plani i veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal. Në këtë kontekst parashikohet edhe njohja reciproke e diplomave të shkollës së lartë dhe kualifikimeve profesionale – së këtejmi do të përfitonin para së gjithash të rinjtë, të cilët kërkojnë të lëvizin lirshëm përtej kufinjve.


Unë jam e bindur: ashtu sikundër Gjermania pas vitit 1945 mundi të gjente paqen vetëm në Bashkimin Evropian, gjithaq është e nevojshme, që për një paqe të qëndrueshme në kontinentin tonë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Dhe këtu vlen të thuhet: BE-ja nuk duhet vetëm të formulojë pritshmëri – ne duhet gjithashtu të mbajmë fjalën. Unë kam mirëkuptim për zhgënjimin në rajon lidhur me shtyrjet e herëpas’hershme. Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe liberalizimi i vizave Schengen për Kosovën – të dyja këto duhet të bëhen më në fund. Këtu është fjala për më shumë se sa thjesht bisedime teknike. Bëhet fjalë për të ardhmen e Evropës sonë të përbashkët – dhe për paqen, e cila këto ditë është kaq e rrezikuar dhe e çmuar njëkohësisht.
Info