Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Komunikatë për shtyp - Ndërtohet impiant urban i trajtimit të ujërave të zeza për 30.000 banorë të Gjakovës

Einweihung der Wasserkläranlage in Gjakova

Einweihung der Wasserkläranlage in Gjakova, © KfW Kosovo

11.05.2023 -

Ndërtohet impiant urban i trajtimit të ujërave të zeza për 30.000 banorë të Gjakovës me mbështetje të Zvicrës dhe Gjermanisë

Falë Gjermanisë dhe Zvicrës, si dhe bashkëpunimit të tyre të ngushtë me Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Gjakovës, më 11 maj 2023 u hap në Gjakovë një impiant i madh urban për trajtimin e ujërave të zeza, i cili do t'i shërbejë rreth 30.000 banorëve. Projekti është zbatuar me sukses nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW.

Ambasadori gjerman z. Jörn Rohde theksoi:

Tatimpaguesit gjermanë kanë kontribuar me 6 milionë euro në ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, i cili do të përmirësojë cilësinë e lumenjve, liqeneve dhe ujërave nëntokësore dhe në këtë mënyrë do të përmirësojë ndjeshëm shëndetin dhe cilësinë e jetesës së rreth 30.000 qytetarëve të Kosovës. Unë sinqerisht vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer me Zvicrën dhe zbatimin e jashtëzakonshëm përmes Bankës Zhvillimore KfW, si dhe angazhimin e partnerëve tanë të çmuar kosovarë.

Ambasadori zviceran Thomas Kolly tha:

Zvicra vazhdon të mbështesë sektorin e ujërave në Kosovë. I nisur së bashku me qeverinë gjermane dhe atë të Kosovës, investimi zviceran prej 8 milionë eurosh ka mundësuar ndërtimin e impiantit të trajtimit të ujërave të zeza në Gjakovë, si dhe zëvendësimin dhe riparimin e rrjetit të kanalizimit, nga i cili do të përfitojnë drejtpërdrejt qytetarët e Gjakovës, dhe njëkohësisht do të kontribuojnë në mbrojtjen afatgjatë të burimeve ujore në Kosovë dhe Shqipëri.“

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini dhe Drejtori Menaxhues i KRU Gjakovës, z. Hasan Krasniqi.

Kostoja totale e projektit arrin 17 milionë euro. Zvicra dhe Gjermania kanë marrë përsipër pjesën më të madhe të investimit, ndërsa pjesa e mbetur prej 3 milionë euro financohet nga Komuna e Gjakovës.

Paralelisht, Gjermania aktualisht po e mbështet Ujësjellësin Rajonal të Gjakovës me një grant shtesë në vlerë prej 17.5 milionë euro, nga i cili do të përfitojnë njësoj Peja, Gjakova dhe Prizreni. Fokusi në këtë rast është vendosur në rehabilitimin e rrjeteve të ujërave të zeza dhe ndarjen e ujërave e akumuluara nga të reshurat, nga rrjeti i ujërave të zeza me qëllim për të ulur më mënyrë domethënëse kostot për komunat.

Programi i ujërave të zeza synon gjithashtu mbrojtjen e burimeve ujore të Kosovës dhe Shqipërisë, dhe veçanërisht mbrojtjen nga ndotja e mëtejshme të lumit Drin që derdhet në Shqipëri, si dhe Liqenit Shqiptar në territorin e Kosovës.