Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Fjala e Ambasadorit Christian Heldt me rastin e pritjes në shënim të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, më 04.10.2018 në Prishtinë

02.10.2018 -

“Mirë se keni ardhur! Srdačno dobrodošli!

Bashkëshortja ime dhe unë, së bashku me ekipin e mrekullueshëm të Ambasadës Gjermane në Prishtinë për të cilin jam shumë krenar, Ju dëshirojmë mirëseardhje në pritjen për Ditën tonë Kombëtare në shënim të jubileut të ribashkimit gjerman, para 28 vjetësh.

Siq mund të shihni, ne sot po festojmë edhe 10-vjetorin e marrëdhënieve zyrtare diplomatike në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Urime! Čestitamo!

Po në këtë ditë ne iu shprehim mirënjohje të veçantë rreth 50.000 ushtarëve gjermanë për shërbimin e tyre pothuajse 20-vjeçar në Prizren, aty ku kampi fushor i Bundeswehr-it në vitin e ardhshëm do të shndërrohet në një projekt të përbashkët të dy vendeve tona – Parkun Inovativ dhe Trajnues-PIT. Unë jam zashtëzakonisht i nderuar që ky moment i veçantë i marrdhënieve tona bilaterale, sot pasdite në Prizren do të udhëhiqet nga mysafirë shumë të veçantë nga Berlini, zëvendësministrat tanë të mbrojtjes dhe bashkëpunimit zhvillimor, Sekretarit të Shtetit Silberhorn dhe Sekretares së Shtetit Flachsbart, së bashku me një anëtar të Bundestag-ut gjerman dhe mysafirë të tjerë specialë të ushtrisë gjermane. Kjo pjesëmarrje sot e personalizon motivin, me të cilin qëndron ndryshimi dhe kontinuiteti i angazhimit gjerman në Kosovë: Bundeswehr-i largohet, Gjermania mbetet. Dhe për Kosovën: Bundeswehr-i tani do të përqendrohet në Prishtinë, në FSK-në dhe do të mbetet i përkushtuar, së bashku me partnerët tanë në NATO.

E nderuar zonja Sekretare e Shtetit, shumë i nderuar zoti Sekretar i Shtetit, zonja deputete, të nderuar mysafirë nga Gjermania, Ju faleminderit përzemërsisht për ardhjen Tuaj, Ju faleminderit për atë që sot pasdite gjatë apelit në Shadërvan, në suaza të dinjitetshme edhe zyrtartarisht do t’i thoni lamtumirë Bundeswehr-it dhe do të lajmëroni simbolikisht ngritjen e parkut të trajnimit.

Zoti Sekretar i Shtetit, gjithsej mbi 50.000 ushtare dhe ushtarë gjermanë në emër të vendit tonë, së bashku me partnerët tanë në NATO janë angazhuar për liri dhe paqe në Jug të Kosovës për rreth 20 vjet rrjesht. Të gjithë ne këtu Ju jemi mirënjohës që Ju sot pasdite në emër të qeverisë federale do të çmoni këtë kontribut për siguri dhe paqe. Me këtë Bundeswehr-i i ka vënë themelet, mbi të cilat mund të qëndrojë angazhimi dhe shfrytëzimi civil në Prizren.

Zonja Sekretare e Shtetit, ne të gjithë Ju jemi mirënjohës nga zemra për të gjithë atë që Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik ka bërë të mundur këtu. Sinjali për të krijuar me më shumë vendosmëri perspektiva për bashkëpunimin bilateral në të ardhmen dhe për gjeneratat e reja të kosovarëve, është një kontribut që vështirë mbivlerësohet, e të cilin e  jep vendi ynë këtu. Juve dhe të gjithë pjesëmarrësve në ngritjen e këtij projekti madhështor: faleminderit!

Të dashur bashkëvendas,

Juve të gjithëve që në detyra dhe angazhime të ndryshme këtu në Kosovë jeni duke punuar për një të ardhme më të mirë të këtij vendi, Ju dëshiroj një mirëseardhje të përzemrët për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, për të cilën jemi mbedhur të gjithë sot. Jo gjithëmonë gjithçka duket në sipërfaqe dhe pikërisht për këtë dëshiroj t‘Ju falënderoj për kontributin Tuaj të cilin e përfaqëson Gjermania këtu: një partnere e vëmendshme dhe e besueshme, e cila i përvishet punës aty ku ka nevojë dhe pa bërë shumë fjalë.

Zonja dhe zotërinj,

PIT paraqet vetëm një nuancë të bashkëpunimit, nëpërmjet të cilit Gjermania Ju qëndron përkrah në rrugën drejt integrimit europian dhe transatlantik. Unë jam mirënjohës që Presidenti Thaçi dhe Kryeministri Haradinaj do të flasin gjithashtu pas pak çastesh rreth këtyre raporteve shumëvjeçare në mes të dy vendeve tona që tejkalojnë kornizën zyrtare të dhjetë viteve të fundit.

Ne kemi kaluar një rrugë të gjatë, por ende ka punë për t’u bërë. Më lejoni të ndalem tek fjalët kyçe të himnit tonë kombëtar “Einigkeit und Recht und Freiheit“. Ky varg mund të përkthehet me „bashkim dhe drejtësi dhe liri“.  Më ndiqni pra në një udhëtim të shkurtër në të ardhmen e Kosovës, dhjetë vjet nga sot, shikuar përmes këtyre fjalëve të himnit të Gjermanisë:

Bashkim: Kosova do të jetë një shtet i konsoliduar me kufijtë e saj tashmë të vendosur. Një tregim i përbashkët kombëtar i të gjitha forcave politike, i krijuar në vitin 2019 do të ketë vendosur shtetin në rrugë për pranim në BE dhe anëtarësim në NATO. Kosova për herë të parë në histori do të jetë zgjedhur si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në vitin 2017. Qytetarët do të jenë krenarë të valvisin flamurin e Kosovës – pa patur nevojë për një identitet tjetër – kur ekipi kombëtar i futbollit do të ketë sjellur në shtëpi titullin e kampionit europian të futbollit në vitin 2018 dhe kapiteni të mbajë në duar kupën deri sa hyn në Prishtinë nga Graçanica.

Drejtësi: Nëpërmjet reformave Kosova do ta ketë shndërruar administratën publike në motor të ndryshimeve në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Mali me dosjet e papërfunduara në gjykata do të jetë jetë rrafshuar. Kuvendi i Kosovës do të ketë adaptuar legjislacionin duke pasur si model shtetet skandinave për t’i bërë shpenzimet publike dhe vendimmarrjet procese më transparentet dhe më efikaset në Europë. Gjenerata e re dhe e kualifikuar ndërkombëtarisht do të jetë vendosur në pozita vendimmarrëse për të implementuar atë që di më së miri për të mirën e përgjithshme. Kosova do të ketë arritur në majat e rangimeve ndërkombëtare për transparencë dhe qeverisje të mirë. Procedimet në gjykata do të kenë thyer rekordet europiane sa i përket efikasitetit dhe investitorët do të kenë filluar të vërshojnë Kosovën, të nxitur nga besimi se ajo ofron kushtet më të mira ligjore dhe sundimin më të mirë të ligjit në rajon.

Liri: Duke filluar me liberalizimin e vizave të rinjtë dhe të rejat nga Kosova do të kenë udhëtuar në Bashkimin Europian të atëhershëm, ku do të kenë studiuar, të jenë rrjetëzuar dhe të kenë përjetuar standardet që do t’i kenë sjellur në vendin e tyre. Gratë do të kenë konsoliduar pozitën e tyre me të gjitha përgjegjësitë kyçe në sektorin publik e privat. Një partner i famshëm kosovar mediatik vetëm sa do të ketë fituar njërin prej çmimeve më të rëndësishme europiane për gazetari të pavarur. Një ish-rektor i Universitetit të Prishtinës do të jetë zgjedhur kryertar i bordit të Agjencisë Europiane për Sigurim të Kualitetit në arsimin e lartë, pas arritjeve të jashtëzakonshme në fushën akademike në Kosovë. Dhe më e mira po pret: gjithnjë e më shumë qytetarë gjermanë do të migrojnë për të jetuar dhe punuar në këtë shtet anëtar të Bashkimit Europian, në Kosovë, që në ndërkohë do të jetë shndërruar në një gjenerator të zhvillimit ekonomik dhe social në Ballkanin Perëndimor, bashkëatëdhetarët e mi duke shikuar për një perspektive më të ndritshme në jetë…dhe një kafe më të shijshme.

Për t’a thënë shkurt: Kosova do të jetë bërë një vend monoton në sytë e diplomacisë së krizës.

Po shoh dëfrim, por asgjë nuk është e pamundur, nëse qytetarët e Kosovës duan ta realizojnë këtë. Gjermania është këtu për t’ju shoqëruar në këtë rrugë, së bashku me të gjithë miqtë dhe partnerët tanë. Kjo është ajo që e përbën Europën: ndarja e përbashkët e ëndrrave dhe vizioneve, e ndjekur nga puna e përbashkët për t’i realizuar ato.

Danke, faleminderit, hvala, thank you, tani do t’ia liroj skenën Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi dhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj.”