Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Parime
Politika gjermane për të drejtat e njeriut e ndjek një obligim konkret: për t’i mbrojtur njerëzit nga cenimet e të drejtave dhe të lirive themelore të tyre.

Në vitin 1948, para më shumë se gjashtëdhjetë viteve, në Paris u mblodhën burra dhe gra nga të gjitha anët e globit për t’i ofruar botës vizionin e jashtëzakonshëm për një botë të barabartë dhe paqësore: ata miratuan Deklaratën e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut.
Ajo niset nga „dinjiteti i lindur dhe të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme“ të njeriut dhe ia njeh ato secilit njeri, pa bërë ndonjë dallim të racës, gjinisë, gjuhës, përkatësisë fetare, apo kritereve të tjera të ngjajshme. Është pikërisht kjo, ajo çfarë nënkuptohet me të drejtat e njeriut: të drejtat e njeriut janë të drejta, të cilat i gëzon secili njeri, vetëm për shkak të të qenit njeri – pa kurfarë kufizimesh për sa i përket karakteristikave, të cilat na dallojnë neve njerëzve nga njëri-tjetri.
Pakti civil i KB-së & Pakti social i KB-së
Kjo deklaratë, së bashku me dy pakot mbi të drejtat e njeriut, të vitit 1966 – Paktin Ndërkombëtar mbi të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore dhe Paktin Ndërkombëtar mbi të drejta qytetare dhe politike – përbëjnë të ashtuquajturën „International Bill of Rights“. Ajo plotësohet nga një sërë marrëveshjes të tjera mbi të drejtat e njeriut, të cilat vendosin rregulla mbi mbrojtjen nga diskriminimi, si për shembull diskriminimi i gruas, apo diskriminimi racor dhe në një marrëveshje formulojnë pikëmbështetje qendrore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si për shembull ndalimi absolut i keqtrajtimit, apo i skllavërisë.
Këto marrëveshje dhe protokollet shtesë të tyre, në të cilat janë të përcaktuara hollësitë, si mundësitë e ankesave, apo mekanizmat e veçantë mbrojtës, janë ratifikuar sot nga shumë shtete.
Konventa Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut
Në nivel evropian me Konventën Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut dhe lirive themelore të vitit 1950 është miratuar një marrëveshje, e cila e mundëson madje edhe zbatimin ligjor të këtyre kërkesave ligjore. Poashtu edhe Marrëveshja e Unionit Evropian e Lisbonës që është në fuqi nga dhjetori i vitit 2009 përmban deklarata të qarta mbi angazhimin për të drejtat e njeriut.
Pandashmëria e të drejtave të njeriut
Të drejtat e njeriut shpeshherë ndahen në tri gjenerata. Gjenerata e parë përfshinë të drejtat qytetare dhe politike – për shembull të drejtën e njeriut për jetë dhe integritet fizik, për liri dhe pasuri, për liri të mendimit dhe mbledhjes, apo liri të përkatësisë fetare dhe besimtare. Të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore konsiderohen edhe si gjenerata e dytë – të përfshira këtu janë për shembull e drejta e njeriut për një standard jetese të mjaftueshëm, përfshirë këtu ushqimin e mjaftueshëm, të drejtën për punë dhe shpërblim të favorshëm, të drejtën për themelim të sindikatave, të mbrojtjes së veçantë të familjes, të shtatëzënave, të nënave dhe fëmijëve, të drejtën për gjendjen më të mirë të arritshme të shëndetit, të drejtën për arsimim, apo të drejtën për pjesëmarrje në jetën kulturore. Këto plotësohen nga një gjeneratë e tretë e të drejtave të përbashkëta, siq janë të drejtat për zhvillim, apo për paqe.
Kjo sistematikë për ti ndarë në tri gjenerata të drejtat e njeriut zëvendësohet sot nga një mirëkuptim i thellë, për sa i përket pandashmërisë reale dhe varësisë së ndërsjellë të të gjitha të drejtave të njeriut. Të drejtat politike dhe qytetare nuk mund të gëzohen, nëse një njeri nuk e ka në dispozicion bazën jetësore minimale ekonomike. Anasjelltas garantimi i arritjeve ekonomike dhe sociale nuk duhet të shkojë në kurriz të lirisë.
Kushtetuta gjermane
Edhe brenda shtetit Gjermania që në nenin 1 të kushtetutës i njeh të drejtat e njeriut: „Dinjiteti i njeriut është i paprekshëm. Për ta respektuar dhe për ta mbrojtur atë është obligim i të gjithë pushtetit të shtetit. Populli gjerman për këtë arsye i njeh të drejtat e pacenueshme dhe të patjetërsueshme të njeriut si bazë e secilës bashkësi të civilizimit, e paqes dhe e barazisë në botë.“
Gjermania është partnere kontraktuale e pothuajse të gjitha marrëveshjeve mbi të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara, sikundër edhe e të gjitha normave qendrore evropiane mbi të drejtat e njeriut.
(Copyright: Ministria Federale për Punë të Jashtme)