Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Veprim i vendosur në vend të thjeshtë reagimit - Presidenca gjermane e G7-ës në vitin 2022

Logoja gjermane e G7-ës me ngjyrë të kaltërt në sfond të bardhë.

Presidenca gjermane G7-Logo, © Qeveria Federale

01.01.2022 -

Më 1.1.2022 Gjermania merr përsipër kryesimin e presidencës së G7 për një vit.  Ministrja e Jashtme Baerbock për ministrat e jashtëm të G7-ës ka vendosur një agjendë të parandalimit dhe transformimit. Pikërëndesat: Kriza klimatike, pandemia, si dhe forcimi i qëndrueshmërisë së demokracive. 

Koordinimi në çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë si detyrë kryesore

Koordinimi i ngushtë dhe joformal i bazuar në besim të ndërsjellë sa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë, sfidave dhe krizave është aspekt kyç i agjendës së ministrave të jashtëm të G7-ës. G7 paraqet një platformë unike për të dhënë impulse për zgjidhjen e konflikteve dhe trajtimin e sfidave strategjike mbi bazën e vlerave të përbashkëta. Këtë duam ta marrim si bazë gjatë presidencës gjermane. Kjo, sepse çështjet e krizës aktuale për fat të keq nuk do të zvogëlohen në numër as në vitin 2022.

Demokracitë efektive liberale me një bazë të fortë vlerash

Sfidat globale mund t’i zgjidhim vetëm së bashku. Për G7-ën kjo nënkupton që duhet ta themi se për çfarë luftojmë ne, si demokraci liberale të zotuara për multilateralizëm, në vend se se të fokusohemi gjithnjë në atë që e kundërshtojmë.

- Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock

Për më tepër: Gjermania ia ka vendosur vetes si qëllim për të forcuar edhe më bazën e vlerave të G7-ës. Për ta arritur atë, ne synojmë të ankorojmë edhe më fuqishëm çështjet e të drejtave të njeriut, për shembull në fushat si inteligjenca artificiale, barazia gjinore, si dhe llogaridhënia në rast të shkeljes së të drejtave të njeriut. Njëkohësisht ne duam të punojmë për të siguruar që demokracitë liberale të mbeten efektive dhe vërtetë iu ofrojnë njerëzve më shumë liri, siguri dhe miqëqenie të qëndrueshme.

Agjenda e parandalimit dhe transformimit si lajtmotiv: Kriza klimatike si njëra nga tri pikërëndesat

Nuk është vetëm kriza klimatike ajo që tregon rëndësinë e veprimeve vizionare të përbashkëta, të hershme. Prandaj ne duam të shfrytëzojmë ndikimin e G7-ës për një agjendë të fuqishme të parandalimit dhe transformimit:

Veprim para se të bëhet vonë: Ky është mesazhi ynë kryesor të cilin duam ta diskutojmë me ministrat e jashtëm, sa i përket krizës klimatike, për sa i përket natyrisht luftimit të pandemisë, si dhe sa i përket qëndrueshmërisë së demokracisë.

- Ministrja e Jashtme Annalena Baerbock

  1. Eskalimi i mëtejmë i krizës klimatike jo vetëm që sjell vuajtje të tmerrshme për individë, por edhe i ashpërson konfliktet në rajone të ndryshme në botë. Politika klimatike është politikë preventive e sigurisë, prandaj dhe është një pjesë përbërëse qendrore e politikës tonë të jashtme dhe presidencës tonë të G7-ës. Ne synojmë ta zgjerojmë dukshëm zotimin e G7-ës për zbutje të ndryshimit klimatik. Partneritetet për energji dhe klimë ofrojnë një mundësi të vërtetë për mirëqenie të qëndrueshme, pikërisht për vendet që kanë emitim intenziv, apo për ato me varshmëri të madhe nga karburantet fosile. Gjithashtu do të na duhet që brenda kornizave të G7-ës të përqendrohemi në ndihmën paraprake humanitare si një instrument të zbutjes, ndër tjerash, të pasojave të krizës klimatike, si dhe në krijimin e një mirëkuptimi më të fuqishëm të përbashkët rreth ndërlidhjes në mes klimës dhe sigurisë.
  2. Gjatë kryesimit të presidencës tonë të G7-ës duam ta forcojmë multilateralizmin. Ne mund t’iu kundërvihemi krizave, sikurse pandemia COVID-19 vetëm duke punuar së bashku, ndërsa do të na duhet që ndaj krizave të ardhshme të reagojmë me kohë me një front të përbashkët dhe bazuar në gjetjet shkencore e këshillat e ekspertëve. Kombet e Bashkuara e ofrojnë kornizën e duhur për këtë gjë. Kjo është arsyeja, pse fuqizimi i arkitekturës globale të shëndetësisë dhe sigurimi i barazisë së qëndrueshme globale të vaksinimit janë vendosur gjithashtu në agjendën e ministrave të jashtëm të G7-ës.
  3. Si partnerë me vlera të përbashkëta, anëtarët e G7-ës e ndajnë dëshirën për t’i bërë demokracitë tona më të qëndrueshme. Fushatat e dezinformimit, për shembull, paraqesin një rrezik të vërtetë për shoqëritë tona të hapura. Prandaj ne duam t’i vendosim në agjendë projektet që kanë për synim garantimin e një sigurie më të madhe kibernetike në shtete partnere të caktuara jashtë G7-ës dhe investimet e ardhshme në infrastrukturën e përbashkët globale.

Gurët kilometrik të presidencës 2022

Si gurë kilometrikë „tradicionalë“ për procesin e ministrave të jashtëm të G7-ës në vitin 2022 janë planifikuar dy takime në nivel ministrash, një në maj dhe një në vjeshtë të 2022-ës. Sikurse çdi vit, do të ketë gjithashtu edhe një takim të ministrave të jashtëm të G7-ës në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit 2022, i cili, si rëndom, do të përqendrohet në çështjet aktuale me një dimension multilateral.

Thellimi i marrëdhënieve me partnerë jashtë G7-ës me të cilët ndajmë vlerat e njejta

Shtetet e G7-ës nuk mbeten më vete: Gjermania gjithashtu do të ftojë vende mysafire, të cilat i ndajnë vlerat e njejta, siq janë liria dhe sundimi i ligjit. Në dy takimet e ardhshme të ministrave të jashtëm ne fillimisht do të përqendrohemi tek shtetet nga Afrika dhe më pas, në takimin e dytë në shtetet e rajonit të Paqësorit.