Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Mesazhi i Ministrit Federal të Jashtëm Maas për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë 2018

Që prej 20 vjetësh Gjermania është e bashkuar në demokraci dhe liri. Janë mbushur tashmë tri dekada që kur është tejkaluar ndarja politike e imponuar nga Lufta e Ftohtë.


Mesazhi i Ministrit Federal për Punë të Jashtme, Heiko Maas për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë 2018

Që prej 20 vjetësh Gjermania është e bashkuar në demokraci dhe liri. Janë mbushur tashmë tri dekada që kur është tejkaluar ndarja politike e imponuar nga Lufta e Ftohtë. Ishin para së gjithësh qytetaret dhe qytetarët e guximshëm në Lindje të Gjermanisë, ata të cilët  e rrëzuan murin që ndante Lindjen dhe Perëndimin. Një rol qenësor në këtë e kanë luajtur edhe shtetet tona partnere. Pa besimin e tyre në një zhvillim paqësor dhe pozitiv të Gjermanisë së bashkuar në Europë, bashkimi i Gjermanisë nuk do të kishte qenë i mundur.

Edhe këtë vit shumë shtete na kanë dhënë një besim të madh. Në qershor Gjermania është zgjedhur nga më shumë se 180  shtete anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Abshkuara për dy vite. Ky besim i bashkësisë së shteteve për ne është detyrë që së bashku me partnerët tanë edhe më tej të kontribuojmë fuqishëm në paqe dhe siguri në botë. Kjo është e mundur vetëm në kuadër të një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Multilateralizmi i vërtetë nuk duhet t’a imponojë ligjin e të fortit, por duhet të krijojë kushte të barabarta për të gjithë. Ne duam të punojmë së bashku drejt arritjes së këtij qëllimi në një aleancë për multilateralizmin, i cili është i hapur për të gjithë palët e interesuara.

Bota e shekullit XXI, e karakterizuar gjithnjë e më shumë nga varësia e ndërsjellë kërkon nga ne që t’a tejkalojmë izolimin. Edhe nëse ndjenjat nacionaliste dhe populiste në këtë kohë po shtohen në mbarë botën, është e drejtë dhe e mundur të punohet për t’iu kundërvënë këtyre zhvillimeve. Në mesin e viteve ‘80 pak kush në Gjermaninë e ndarë do të kishte besuar se rënia e Murit të Berlinit ishte e mundur, megjithatë ai ra vetëm pak vite më vonë.

Sot ne ende po punojmë në Bashkimin Europian dhe me partnerët tanë në mbarë botën për të tejkaluar përçarjet, kapërcyer kontradiktat, për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve në mbarë globin dhe për të promovuar të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Një mësim i nxjerrë nga ribashkimi i Gjermanisë është që progresi asnjëherë nuk mund të arrihet duke ecur vetë. Ne jemi dhe mbetemi të varur nga njëri-tjetri. Dhe kjo është gjë e mirë.