Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Mesazhi i Ministrit Federal të Jashtëm Maas për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë 2019


Mesazhi i Ministrit Federal për Punë të Jashtme, Heiko Maas për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë 2019

Para pak ditësh kam qëndruar në ballkonin e njejtë, në të cilin para saktësisht 30 vjetësh Hans-Dietrich Genscher iu kumtoi lajmin qindra qytetarëve të RDGJ-së që kishin kërkuar strehim në Ambasadën Gjermane Perëndimore se ata mund të udhëtonin për në Republikën Federale. Pak para kësaj në shtatorin e po të njejtit vit, Hungaria gjatë një aksioni shembullor i hapi kufijtë e saj me Austrinë për mijëra njerëz që kishin ikur nga RDGJ, duke ua mundësuar atyre udhëtimin për në Gjermaninë Perëndimore. Edhe këtë ngjarje e kemi festuar në Berlin para disa ditësh së bashku me qytetarë nga Gjermania dhe Hungaria. Të dyja ndodhitë kanë qenë arritje të rëndësishme në rrugën e Bashkimit të Gjermanisë, por që shkaktuan çarje të qarta në Murin e Berlinit, i cili tashmë i kishte ditët e numëruara. Për këtë arsye, veçanërisht duke iu falënderuar edhe Hungarisë dhe Çekosllovakisë së atëhershme, ne gjermanët kemi qenë në gjendje të festojmë bashkimin tonë në 29 vitet e fundit.

Në ballkon në Pragë, por edhe gjatë bisedave të mia me dëshmitarë të kohës në organizimet festive për 30-vjetorin e hapjes së kufirit me Hungarinë ishte e qartë se ribashkimi i Gjermanisë dhe Europës bazohej në besimin se një kontinent i bashkuar iu ofron të njerëzve një të ardhme më të mirë, se sa përplasja e sistemeve. Partnerët tanë ndërkombëtarë në vitin 1989/1990 besonin se një Gjermani e bashkuar së bashku me fqinjët e saj, do të ndërtonte një Europë paqësore, të lirë dhe solidare.

Si asnjëherë më parë jemi të bindur se Europa e bashkuar është përgjigja më e mirë për çështjet urgjente të kohës tonë. Një Europë e tillë edhe për Gjermaninë do të ishte garantuesja më e mirë e paqes dhe mirëqenies. Prandaj është edhe më e rëndësishme që ne, megjithë dallimet që mund të kemi, të vazhdojmë dialogun me partnerët tanë në Europën Lindore. Forcimi i komunitetit tonë është ai që na shtyn përpara dhe jo theksimi i dallimeve tona. Dhe këtë duam ta theksojmë në veçanëti në kuadër të Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së në vitin 2020 – Përvjetorin e 30. të Bashkimin të Gjermanisë.

Ngjarjet që ndodhën në Gjermaninë Lindore në vjeshtën e vitit 1989 shpërfaqin gjithashtu fuqinë që njerëzit kanë kur dalin në rrugë për të protestuar paqësisht dhe mbrojnë të drejtat e tyre demokratike. Në mendje më vijnë shembuj nga mbarë bota, ku mund të vëzhgojmë gjëra të ngjashme. Kjo tregon sa e rëndësishme është që të ngrehim zërin për të drejtat tona demokratike, për mbrojtjen e drejtave të njeriut dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla, jo së fundmi marrë për bazë përvojën tonë. Prandaj ne, së bashku me partnerët tanë marrim përgjegjësi në nivel global.