Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Fjala e Ambasadorit Christian Heldt me rastin e pritjes në shënim të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë, më 3.10.2019 në Prishtinë
-- Vlenë fjala e thënë –
“Zonja dhe zotërinj,
herzlich willkommen, mirë se keni ardhur, srdacno dobrodosli, welcome!
Së bashku me bashkëshorten time dhe mbarë familjen e Ambasadës Gjermane, Ju faleminderit që na jeni bashkuar sot për të festuar ditën tonë kombëtare, Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhje veçanërisht të gjithë të pranishëmve nga agjencionet bashkëpunuese, GIZ dhe KfW, me qenë se këtë vit ne festojmë edhe 20-vjetorin e bashkëpunimit gjermano-kosovar. Të gjithë të pranishëmve, ju lutem përcilljuani kolegëve që nuk janë sot me ne këtu se sa krenar jam unë si ambasador gjerman me arritjet tuaja këtu dhe me atë që po vazhdoni të bëni për popullin e Kosovës. Kjo mendoj që meriton një duartrokitje të madhe.
Këtë vit, siq është bërë traditë në Gjermani, rrotacioni i festimeve brenda 16 landeve federale kalon në rajonin më verior, Landin Schleswig-Holstein që kufizohet me Danimarkën. Kjo është porta jonë për në Skandinavi që rrethohet nga dy detëra, Detin e Veriut dhe Detin Baltik. Ekziston një traditë e gjatë detare dhe bujqësore që i shpjegon edhe disa nga dekorimet që po i shihni këtu, si dhe disa ushqime dhe lloj të birrës që keni për ta zbuluar. Por Schleswig-Holstein ka edhe një histori të gjatë të diversitetit. Tri nga katër pakicat kombëtare të njohura zyrtarisht në Gjermani jetojnë në veri: danezët, frisianët dhe pakica gjermane sinti dhe rom. Pakica daneze lartë në veri ka të drejta të veçanëta politike për pakicat me ligjin e zgjedhjeve, në fushën e arsimit dhe jo vetëm. Tri gjuhë të pakicave të mbrojtura fliten në veri të vendit: danishtja, frisianishtja dhe gjuha romany.
Sidoqoftë, disa qytetarë në vendin tonë madje mund të konsiderojnë edhe dialektin gjerman rajonal si gjuhë më vete dhe të mbrojtur, i cili flitet atje dhe është paksa i vështirë për t’u kuptuar:
(në dialekt nordik)
Leive Lanslüd,
ok för jüm all een haddliget Willkoam op unsan Empfang för den Dach to de Düdtsche Eenheid.
Wi froid uns, dat Se dorbi sind und wi all tosomm fiean könnt.
(Të dashur bashkëvendas,
Ju uroj mirëseardhje të veçantë në pritjen tonë për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë edhe Juve të gjithëve. Gëzohemi që jeni këtu dhe që mund të festojmë së bashku.)
Fillimi i angazhimit tonë gjerman për këtë vend dhe qytetarët e tij pas luftës së tmerrshme të vitit 1999, tashmë shënon 20 vjet. Gjermania edhe më tej punon me ngulm përkrah Kosovës, më mënyrë për të përmirësuar kushtet e jetës dhe që njerëzit në rrethana normale të mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre këtu. Pa Ju, zonja dhe zotërinj, kjo nuk do të ishte e mundur. Ne të gjithë mund të jemi krenar për këtë dhe për këtë dua t’Ju shpreh të gjithëve falënderimin tim të thellë.
Zonja dhe zotërinj,
ky vit shënon gjithashtu përvjetorin e njërit prej momenteve të gëzueshme në historinë gjermane, 30-vjetorin e rrëzimit të Murit të Berlinit. Këtë përvjetor ne do ta shënojmë me një sërë ngjarjesh përcjellëse edhe këtu në Kosovë, sepse ai moment i veçantë ka një kuptim, i cili shkon shumë përtej Gjermanisë Lindore. Gjithçka ka filluar pikërisht në atë moment, 30 vjet më parë me demonstratën e parë të madhe që paralajmëroi kthesën që po vinte.
Është kjo para së gjithash një paralajmërim i njerëzve të guximshëm: Askush nuk e kishte paraparë se diçka e tillë do të mund të ndodhte, që njerëzit në RDGJ do të ngopeshin një ditë. Do të ngopeshin me ngarkesën dhe degradimin e kushteve të jetës, do të ngopeshin me mungesën e lirisë së përditshme, do të ngopeshin me sistemin ekonomik buzë shpërthimit, për shkak të aparatçikut inkompetent të një partie që ka pretenduar se di si t‘a udhëheqë ekonominë, do të ngopeshin me një klasë të një lidershipi që ka jetuar në një planet tjetër, si materialisht duke vozitur limozinat e mëdha Volvo, ndërsa qytetarët vozitnin Trabantët rrapëllues, ashtu edhe politikisht duke proklamuar barazi sociale, solidaritet dhe parajsë në tokë e duke i izoluar oponentët politikë. Njerëzit që nuk rreshtoheshin, nuk mund të studionin, bllokoheshin nga vendet e punës, maltretoheshin e trajtoheshin si të përbuzur. Drejtësi e pavarur? Harrojeni! Medie të pavarura? Harrojeni! Nëse dikush e ka lënë përshtypjen se i përcjell ato që ne sot i quajmë “lajme të rreme” dhe i është bashkuar strukturës së vetme partiake, gjithçka ka shkuar vaj. Ai ka mundur ta njejë veten si anëtar i grupit dhe është trajtuar si i tillë. Mirëpo shumica e njerëzve është dashur të ballafaqohet me kushte modeste të jetës dhe është dashur të dëgjojë që megjithatë ata kanë qenë më mirë.
Por më e keqja nga të gjitha ka qenë mungesa e lirisë. Vetëm pak njerëz kanë guxuar të kundërshtojnë shtetin e pranishëm kudo, në punë, në jetën private, madje edhe në dhomën e gjumit. Instrumentet e frikësimit dhe kontrollit kanë qenë sa ngjarje horrori dhe të fuqishme, aq edhe qëllim për të kontrolluar të gjithë popullsinë. Dhe kjo është ajo që solli ndryshimin e papritur: Njerëzit nuk donin më t’iu tregojnë çka të mendojnë, çfarë të bëjnë, si të votojnë. Ata e dinin se sistemi ishte i manipuluar, ata donin që dëgjoheshin, donin të kishin një demokraci të vërtetë, një mundësi, dhe përfundimisht donin të vendosnin për vetëveten. Valë gjithnjë e më të mëdha demonstratash u organizuan gjithandej qyteteve të Gjermanisë Lindore dhe ndër më të njohurat ishin ato të Leipzg-ut. Bota po shikonte me habi, ashtu siq po bënim ne në Gjermaninë Perëndimore atë guxim të çliruar të qytetarëve që kërkonin të drejtat e tyre qytetare: “Ne jemi populli”, thërrisnin ata. Dhe të ashtuquajturat elita mbetën pa mbështetje. Pse nuk funksionoi më sistemi represiv dhe pse njerëzit guxuan të thonë se çfarë donin? Shembulli më i mirë i keqkuptimit të plotë të realitetit në vend për mua ka qenë udhëheqësi shumëvjeçar i “Stasit”, të ashtuquajturit sigurim të shtetit, Erich Mielke, i cili ishte mbushur plot dhe në njërën nga paraqitjet e tij të fundit publike tha: “Por unë ju dua të gjithëve”. I njejti njeri, me urdhërin e të cilit ishin copëtuar as shumë biografi, ishtin shkatërruar aq shumë familje dhe miqësi dhe ishin vrarë njerëz.
Njerëzit luftuan për demokraci të vërtetë dhe disa muaj më vonë, në mars të vitit 1990 u mbajtën zgjedhjet e para vërtetë demokratike. Kjo është koha, kur edhe një shkencëtare e re mori përsipër pozitën e saj të parë politike, si zëvendëszëdhënëse e qeverisë së parë të zgjedhur në zgjedhje të lira, Kancelarja Angela Merkel. Kjo është edhe arsyeja e angazhimit të saj të madh për gjithçka që ka të bëj me lirinë personale, sundimin e ligjit dhe shtetin modest që është në shërbim të të gjithë qytetarëve. Ajo e ka përjetuar të kundërtën, kur qytetarëve iu është dashur të zvarriten me respekt në shërbim të lidershipit shtetëror. Të gjithë gjermanët sot mund t’iu jenë mirënjohës atyre që u ngritën 30 vjet më parë dhe treguan guxim shembullor qytetar.
Unë personallisht jam njësoj falënderues për këtë mësim të angazhimit qytetar për demokraci. Unë kam jetuar në shumë vende dhe e di që bota nuk është e përbërë vetëm nga shtete, ku këto liri janë plotësisht të garantuara dhe nuk përjetohen në praktikë. Megjithatë unë besoj në të drejtën e secilit individ në këtë planet për të vendosur vetë për fatin e tij, apo saj, për të bërë zgjedhjen e lirë në një sistem demokratik, të cilit duan t’ia japin besimin me anë të votës në të mirën e përgjithshme. E drejta e secilit qytetar duhet trajtuar me respekt të barabartë para ligjit.
Në Berlin secili qytetar sot mund të ec nëpër kupolë në ndërtesën e parlamentit tonë, Rechstag-ut, duke qëndruar mbi sallën ku mbahen mbledhjet plenare të parlamentarëve. Kjo ka një vlerë shumë të madhe simbolike: Sovrani është populli dhe askush tjetër. Ne në Gjermani është dashur ta mësojmë këtë në mënyrë të dhimbshme. Është një proces i mësimit pa mbarim, demokracia duhet mbrojtur dhe çmuar çdo ditë. Është një sistem, i cili kërkon përgjegjësi nga të gjithë. Ai bëhet fragjil sapo t’i marrim gjërat si normale, apo thjeshtë i çojmë duart.
30 vjet më parë ndodhi një histori mahnitëse, e cila u zhvillua duke u shndërruar në një ndryshim të vërtetë në mbarë Europën Qendrore dhe Lindore. Ne iu kemi borgj qytetarëve të guximshëm, të cilët i mbajtën lartë ato vlera, duke luftuar paqësisht për të drejtat e tyre, për liri dhe demokraci. Ju faleminderit!
Zonja dhe zotërinj, tani Ju lus të mbani qetësi për himnet kombëtare. Mirëpo, nëse mund të shtoj për himnin gjerman: këndimi nuk është vetëm i lejuar, por edhe tejet i mirëseardhur. Mbi të gjitha, fjalët kyçe janë: “Bashkim, drejtësi, liri”.”