Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Pasqyrë e ekonomisë së Kosovës
Republika e Kosovës, si shteti më i ri që ka dalë nga ish-Jugosllavia (më 17.02.2008) është një shtet i pasur me lëndë të para dhe me nje ekonomi në zhvillim.

Republika e Kosovës, si shteti më i ri që ka dalë nga ish-Jugosllavia (që nga 17.02.2008) në kohën e Jugosllavisë ishte një ndër rajonet e varfëra stukturore me një strukturë të thjeshtë bujqësore (deri në 50% e tokës është tokë bujqësore) dhe ishte reduktuar në rolin e furnizuesit të lëndëve të para për pjesën tjetër të Jugosllavisë (veçanërisht linjit, nikel, plumb, boksit, magnez etj.). Që nga viti 2000 procesi i transicionit të një ekonomie të ndikuar nga socializmi në një ekonomi të tregut me konkurencë të lirë është përcjellur nga BE-ja. Tanimë Kosova prezantohet si një vend me nje ekonomi të lirë të tregut, ashtu siq edhe është e përcaktuar në Nenin 10 të Kushtetutës së Kosovës. Nga rreth 500 ndërmarrje shoqërore deri më sot janë privatizuar mbi 300 të tilla nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (themeluar në vitin 2002 nën mbikqyrjen e UNMIK-ut), e cila pas shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës ka kaluar si Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në përgjegjësinë kosovare. Kanë mbetur edhe disa privatizime të ndërmarrjeve shoqërore, të cilat duhet të bëhen; dy më të mëdhatë dhe më të vështirat janë vendi i skijimit Brezovica, si dhe kompleksi i minierave të Trepçës.
Nga viti 2009 Qeveria ka thjeshtuar sistemin tatimor: tatimi i korporatave tani është rreth 10%. Sistemi i tatimit të të ardhurave është i strukturuar në tri shkallë, të ndara në mes 4,8 dhe 10%. Tatimi mbi vlerën e shtuar është 16%.
Kriza globale ekonomike dhe financiare deri më sot nuk e ka prekur Republikën e Kosovës në masë të madhe. Fondi Monetar Ndërkombëtar momentalisht ka vlerësuar një rritje ekonomike prej 5% të Produktit të Brendshëm Bruto për vitin 2011 (pas 4% në vitin 2010), përderisa për vitin 2012 parashikohet një rritje e vogël e Produkti të Brendshëm Bruto prej 2,7%. Shkalla e inflacionit gjatë viteve të kaluara ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha dhe në vitin 2011 ka qenë mbi 7%. Që nga atëherë shkalla e inflacionit është zvogëluar dukshëm. Për vitin 2012 si dhe për vitet në vijim Fondi Monetar Ndërkombëtar parasheh një shkallë vjetore të inflacionit prej afërsisht 2%.
Produkti i Brendshëm Bruto për kokë banori në vitin 2011 ka qenë 2.688 Euro, ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto në përgjithsi ka qenë 4,637 miliardë Euro. Të ardhurat mesatare janë 300-350 Euro bruto, por shumë familje mbështeten edhe nga të afërmit e tyre në diasporë, veçanërisht nga ata në Gjermani dhe Zvicër.
Republika e Kosovës si partner ekonomik ndërkombëtar deri më sot shquhet kryesisht për importin e mallrave në një deficit tregtar shumë të lartë. Në vitin 2011 janë importuar mallra në vlerë prej 2.479 milionë Euro, kurse janë eksportuar mallra në vlerë prej vetëm 312 milionë Euro.
Produktet kryesore të importit janë lëndët e para (në veçanti derivatet); ushqimet e përpunuara, makinat dhe mjetet elektrike, metalet bazë dhe prodhimet nga to, si dhe automjetet.
Produktet kryesore të eksportit janë metalet (190 milionë Euro në vitin 2011), lëndët e para (veçanërisht mineralet); makinat dhe mjetet elektrike, produktet bujqësore dhe ushqimet.
Vendet kryesore furnizuese janë ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (364 milionë Euro), Gjermania (292 milionë Euro), Serbia (271 milion Euro), Turqia (183 milionë Euro) und Kina (170 milionë Euro). Vendet kryesore blerëse janë Italia (84 milionë Euro), Shqipëria (33 milionë Euro), ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë (30 milionë Euro), Kina (28 milionë Euro) dhe Gjermania (23 milionë Euro).
Pra brenda BE-së Gjermania është partneri kryesor tregtar, kurse në përgjithësi, pas ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë dhe Serbisë, ajo qendron në vendin e tretë. Imazhi i Gjermanisë dhe ai i produkteve të njohura gjermane është shumë i mirë në Kosovë. Kjo një njërën anë ka të bëjë me përkrahjen e gjërë politike dhe me përkrahjen e politikave të sigurisë dhe të zhvillimit që nga fundi i luftës në vitin 1999, kurse në anën tjetër me lidhjen e ngushtë me diasporën kosovare në Gjermani (afërsisht 250 000-350.000 persona) dhe shumë personave të kthyer, të cilët kanë gëzuar leje të përkohshme qendrimi në Gjermani. Prandaj interesimi për bashkëpunim ekonomik dhe investime drejtpërdrejt gjermane nga ana kosovare është mjaft i madh.
