Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Fjala e ambasadorit Rudolph me rastin e shënimit të Ditës së Bashkimit të Gjermanisë
Ambasadori Rainer Rudolph © Deutsche Botschaft Pristina
Është një kënaqësi e veçantë t’ju shoh sonte të gjithëve së bashku për të kremtuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.
Këtë javë kemi më shumë se një arsye për të festuar:
Bllokada institucionale ka përfunduar.
Pres me padurim të bashkëpunoj me Presidenten e sapozgjedhur, me Qeverinë dhe me të gjitha institucionet e Kosovës për një agjendë që nuk ka ndryshuar që prej ditës kur erdha këtu, një vit më parë:
Gjermania dëshiron ta shohë Kosovën si partnere në Evropë.
Partnere në Bashkimin Evropian dhe në institucionet e tij.
Do të kthehem te kjo temë pas pak, por më lejoni që fillimisht të nis me një vërejtje shumë personale.
1. Faleminderit për mikpritjen e ngrohtë
Viti im i parë në Kosovë ka qenë i mbushur me takime të mrekullueshme njerëzore dhe përvoja të jashtëzakonshme në vendin tuaj të bukur.
Kam përjetuar mikpritje të ngrohtë nga shumë prej jush:
- Në takimet zyrtare këtu në Prishtinë;
- Në zyrat e kryetarëve të komunave, nga Dragashi deri në Leposaviq;
- Në shkolla, universitete dhe qendra të aftësimit profesional;
- Në biznese anembanë vendit;
- Në sofrat e iftarit;
Dhe nga një alpinist i vetëm në malet e Rugovës, me të cilin rastësisht nisëm një bisedë. Kur i thamë se vinim nga Gjermania, ai mblodhi disa lule, m’i dhuroi dhe tha: „Mirë se vini në Kosovë“.
Kështu e përjetova drejtpërdrejt se marrëdhënia ndërmjet vendeve tona është shumë më e thellë dhe më e afërt sesa mund të arrijë ndonjëherë puna e një ambasade.
Duket se pothuajse çdo familje në Kosovë ka lidhjet e veta personale me Gjermaninë.
Dhe kam arritur ta kuptoj se ne, në të vërtetë, jemi një familje.
Kjo ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme, çdo ditë pa përjashtim.
Kjo më sjell te pika ime e dytë, tek agjenda jonë politike.
2. Ambiciet evropiane të Kosovës janë më të rëndësishme se kurrë
Pas tejkalimit të krizës institucionale, pres të punojmë me energji të re si në forcimin e bashkëpunimit tonë dypalësh, ashtu edhe në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Me krijimin e institucioneve të qëndrueshme, vendi tani e ka vënë veten sërish në pozitën që ta ndjekë në mënyrë aktive këtë agjendë.
Kjo nuk do të thotë se rruga përpara do të jetë gjithmonë e lehtë.
Ky proces do të vazhdojë të kërkojë debate të vështira dhe vendime të rëndësishme, si brenda vendit ashtu edhe në raport me partnerët e tjerë.
Më lejoni të shtoj se përvoja e vendit tim është një dëshmi e qartë e kësaj.
Megjithatë, dëshiroj t’ju inkurajoj fuqimisht që të vazhdoni ta ndiqni këtë objektiv ambicioz.
E di se në Kosovë ka padurim ndaj një procesi që tashmë duket se po zgjat shumë.
Dhe më besoni, unë e ndaj këtë padurim.
Por, në një kuptim më të gjerë, synimi për integrimin e plotë të Kosovës në strukturat evropiane është sot ndoshta edhe më i rëndësishëm sesa ishte në kohën kur u nisët në këtë rrugëtim.
Më lejoni të zmadhoj pak pamjen dhe ta shohim Evropën si një tërësi.
Peizazhi politik dhe i sigurisë në kontinentin tonë po ndryshon në mënyra që nuk i kemi parë prej shumë vitesh.
Lufta agresore e Rusisë kundër Ukrainës ka hyrë në vitin e pestë.
Edhe vendi im, ashtu si disa vende të tjera evropiane, ka qenë objekt i të ashtuquajturave sulme hibride.
Në këtë kontekst, dëshiroj të falënderoj Ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, për deklaratën e tij të qartë dhe të pakushtëzuar të solidaritetit pas sulmit të dështuar me dron në aeroportin e Lajpcigut gjatë kësaj vere.
Në këtë mjedis të ri, Kosova nuk mund dhe nuk duhet të shikojë më vetëm brenda vetes. Përkundrazi, ajo duhet ta shohë integrimin e saj evropian si një kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë në Evropë.
Kjo më sjell te pika ime e tretë.
3. Ne kemi nevojë për Kosovën si partnere aktive
Unë do të doja ta shihja Kosovën të marrë një rol edhe më aktiv dhe të sjellë në tryezë potencialet e saj si një shtet i ri dhe dinamik në Evropë.
Në fillim të këtij viti, ne së bashku kremtuam 18-vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Gjatë këtyre 18 viteve, ju keni ndërtuar me sukses një shtet:
- Me një demokraci të gjallë dhe funksionale;
- Ku sundimi i ligjit dhe liria e shprehjes janë të garantuara;
- Një shtet që ofron mbrojtje të veçantë për qytetarët e tij që u përkasin komuniteteve joshumicë;
- Dhe një shtet që po bëhet gjithnjë e më shumë kontribuues i sigurisë në Evropë.
Tani, besoj se ka ardhur koha që vendi të ndërtojë mbi themelet e këtij suksesi.
Më lejoni ta ilustroj këtë.
Më herët përmenda vizitat e mia në shkollat e mesme dhe universitetet, ku pata rastin të takohem me shumë të rinj.
Më bëri përshtypje se sa shumë prej tyre e shohin të ardhmen e tyre personale në Evropë.
Kjo është inkurajuese.
Por unë besoj se ambicia e vendit mund të jetë edhe më e madhe. Unë i shoh të gjithë të rinjtë e Kosovës si qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Tek ata shoh atë për të cilën ka nevojë Evropa dhe atë që më jep shpresë: një Kosovë aktive për një Evropë të fortë dhe paqësore.
Jam i lumtur që vendi tani është gati të ecë përpara.
Gjermania do të vazhdojë të jetë pranë jush në këtë rrugëtim, si mike dhe partnere, ashtu siç ka qenë gjithmonë.