Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts
Pyetjet e parashtruara më së shpeshti rreth udhëtimit pa viza në Zonën Shengen për poseduesit e pasaportave të Kosovës
1. Kur do të mund të udhëtoj pa vizë?
Mbajtësit e pasaportës së Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në të gjithë Zonën Shengen që nga 1 janari 2024.
2. Për cilat qëllime mund të udhëtoj pa vizë në Zonën Shengen? A mund të vizitoj Parisin?
Po. Udhëtimi pa viza u mundëson mbajtësve të pasaportës së Kosovës që të udhëtojnë pa vizë për qëndrime të shkurtra, si turisë por edhe të vizitojnë miqtë apo familjarët, të marrin pjesë në ngjarje kulturore apo sportive, takime afariste, trajtim mjekësor, për programe arsimore afatshkurtra si seminare, konferenca, punëtori, shkolla verore dhe çdo aktivitet i ngjashëm.
3. Në cilat shtete mund të udhëtoj pa vizë?
Shtetet anëtare të BE-së të mbuluara nga heqja e vizave janë:
a) Shtetet anëtare të BE-së që janë pjesë e Zonës Shengen: Austria, Belgjika, Kroacia, Republika Çeke, Danimarka, Estonia Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Letonia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia dhe Suedia;
b) Shtetet anëtare të BE-së që nuk janë ende pjesë e Zonës Shengen, por zbatojnë rregullat të BE-së në lidhje me listat e vizave të BE-së: Bullgaria, Qiproja dhe Rumania
c) Heqja e vizave vlen edhe për shtetet e asociuara të Shengenit: Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.
4. A mund të udhëtoj pa vizë në Irlandë?
Jo. Ndërsa është shtet anëtar i BE-së, Irlanda nuk është pjesë e Zonës Shengen. Ata aplikojnë një regjim tjetër të vizave: për më shumë detaje, shihni faqen përkatëse të Ambasadës/Konsullatës.
5. A mund të udhëtoj pa vizë në Mbretërinë e Bashkuar?
Jo. Mbretëria e Bashkuar nuk është më pjesë e BE-së. Ata aplikojnë një regjim tjetër të vizave: për më shumë detaje, shihni faqen përkatëse të Ambasadës/Konsullatës.
6. Sa kohë mund të qëndroj pa vizë në zonën Shengen?
Ju mund të qëndroni 90 ditë në çdo periudhë 180 ditore brenda Zonës Shengen. Nëse udhëtoni disa herë, duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit, pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të tejkalojë totalin prej 90 ditësh brenda periudhës 180 ditore.
Gjatë zbatimit të kësaj rregulle, duhet të merren parasysh aspektet e mëposhtme:
• Data e hyrjes konsiderohet si dita e parë e qëndrimit në territorin Shengen;
• Data e daljes konsiderohet si dita e fundit e qëndrimit në territorin Shengen;
Periudha e referencës 180-ditore nuk është fikse. Është një dritare lëvizëse, e bazuar në qasjen e retrospektive në çdo ditë të qëndrimit (qoftë në momentin e hyrjes ose në ditën e një kontrolli aktual, si kontrolli i policisë brenda vendit, ose kontrolli kufitar pas nisjes). Mungesa për një periudhë të pandërprerë prej 90 ditësh lejon një qëndrim të ri deri në 90 ditë në një periudhë 180-ditore.
7. A mund të hyj në zonën Shengen më shumë se një herë gjatë asaj periudhe?
Po, mundeni. Megjithatë ju duhet të llogaritni me kujdes ditët e qëndrimit tuaj pasi periudha e përgjithshme e qëndrimit nuk duhet të tejkalojë totalin e përgjithshëm prej 90 (nëntëdhjetë) ditësh të qëndrimit brenda çdo periudhe 180-ditore.
8. Cilat dokumente të udhëtimt nevojiten për të gëzuar udhëtimin pa viza në Zonën Shengen?
Një pasaportë e lëshuar brenda 10 viteve të mëparshme dhe e vlefshme për të paktën tre muaj pas datës së synuar të daljes nga Zona Shengen.
9. A kam nevojë për vizë për të punuar në zonën Shengen për më pak se 90 ditë?
Po, shtetet anëtare kërkojnë vizë dhe leje pune, nëse synoni të punoni atje, edhe nëse është për më pak se 90 ditë. Ju lutemi kontaktoni Ambasadën/Konsullatën e shtetit anëtar ku synoni të punoni për t’u informuar, nëse nevojitet një lloj i veçantë vize dhe leje pune, zakonisht tipi i kategorisë D.
10. A do të më duhet të aplikoj për vizë dhe/ose leje studimi nëse planifikoj të udhëtoj në Zonën Shengen për studime afatshkurtra?
Ju do të duhet të aplikoni për një leje studimi vetëm në rast se synoni të kryeni studime që i kalojnë 90 ditë qëndrimi në Zonën Shengen brenda një periudhe prej 180 ditësh. Për studime më të gjata, duhet të aplikoni për një leje studimi dhe rregullat ndryshojnë nga vendi në vend. Prandaj rekomandohet të konsultoheni me Ambasadën/Konsullatën e vendit në të cilin synoni të studioni.
11. A mund të udhëtoj në zonën Shengen për të kërkuar trajtim mjekësor?
Kur arsyetohet siç duhet, udhëtimi pa viza ju mundëson të udhëtoni në Zonën Shengen për të kërkuar trajtim mjekësor për sa kohë që ky qëndrim është brenda kufijve të 90 ditëve maksimale. Nuk ka një listë të njësuar të dokumenteve mbështetëse që kërkohen në raste të tilla dhe, në varësi të pikës së hyrjes, si pjesë e verifikimit të kushteve të hyrjes në lidhje me qëllimin dhe kushtet e qëndrimit, mund t'ju kërkohet të paraqisni dokumente të ndryshme. Për shembull, mund t'ju kërkohet të paraqisni një provë (dokument zyrtar) të institucionit mjekësor pranues dhe dëshmi për trajtimin tuaj të planifikuar shëndetësor, ose ekzaminimet mjekësore
12. A ju jep heqja e vizave të drejtën automatike për të hyrë në territorin e shteteve të Shengenit?
Heqja e vizave nuk jep një të drejtë të pakushtëzuar hyrjeje dhe qëndrimi. Shtetet Anëtare kanë të drejtë të refuzojnë hyrjen dhe qëndrimin në territoret e tyre, nëse nuk plotësohen një ose më shumë nga kushtet e hyrjes.
Për qëndrime jo më shumë se 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore, kushtet e hyrjes për shtetasit e vendeve të treta janë si më poshtë:
(a) posedimi i një dokumenti të vlefshëm udhëtimi (shih pyetjen 5), ose dokumente që autorizojnë kalimin e kufirit;
(b) arsyetimi i qëllimit dhe kushteve të qëndrimit të synuar, duke pasur mjete të mjaftueshme jetese, si për kohëzgjatjen e qëndrimit të synuar, ashtu edhe për kthimin;
(c) të mos jeni një person për të cilin është lëshuar një sinjalizim në Sistemin e Informacionit Shengen (SIS) për qëllime të refuzimit të hyrjes;
(d) të mos konsideroheni si kërcënim për politikën publike, sigurinë e brendshme, shëndetin publik, ose marrëdhëniet ndërkombëtare të ndonjë prej shteteve anëtare, veçanërisht kur asnjë sinjalizim nuk është lëshuar në bazat kombëtare të të dhënave të shteteve anëtare për qëllimet e refuzimi i hyrjes për të njëjtat arsye.
13. Çfarë dokumentesh duhet t'i tregoj oficerit të imigracionit në portin e hyrjes?
Ju duhet të tregoni pasaportën tuaj që është lëshuar brenda 10 viteve të mëparshme dhe është e vlefshme për të paktën 3 muaj të tjerë pas datës së synuar të daljes nga territori i shtetit anëtar. Përveç kësaj, gjatë kontrollit kufitar mund t'ju kërkohet të paraqitni gjithashtu dokumente që vërtetojnë qëllimin dhe kushtet e qëndrimit tuaj (ftesë nga miku juaj, ftesë për një konferencë, agjendë e një seminari, etj.). Udhëtarët duhet të kenë informacion për qëllimin e tyre të vizitës, vendin e akomodimit, biletat e kthimit, dëshmi të mjeteve të mjaftueshme financiare për të mbuluar qëndrimin (para të gatshme dhe/ose kartë krediti). Sipas informimit më të fundit, çdo shtet anëtar përcakton vetë shumën; ju lutemi konsultoni faqen e internetit të shteteve anëtare përkatëse nëpërmjet të cilave ju synoni të hyni në Zonën Shengen (www.....). Rekomandohet fuqimisht të keni një sigurim udhëtimi. Nëse synoni të qëndroni me të afërmit ose miqtë tuaj të familjes, duhet të keni adresën e saktë dhe numrat e telefonit të tyre.
14. Sa para duhet të kem me vete për të udhëtuar në zonën Shengen?
Sipas nenit 5 (3) të Kodit Kufitar të Shengenit: "mjetet e jetesës do të vlerësohen në përputhje me kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit dhe duke iu referuar çmimeve mesatare në shtetet anëtare përkatëse për hyrje dhe akomodimin brenda buxhetit, shumëzuar me numrin e ditëve të qëndrimit."
Verifikimi që shtetasi i vendit të tretë në fjalë ka mjete të mjaftueshme jetese për kohëzgjatjen dhe qëllimin e qëndrimit të synuar, për kthimin e tij/saj në vendin e origjinës, ose udhëtimin tranzit në një shtet të tretë, ose që ai/ajo mund t'i marrë këto mjete në mënyrë të ligjshme . Për të vlerësuar mjetet e jetesës, duhet të merren parasysh shumat e referencës të përcaktuara nga çdo shtet Shengen.
Verifikimi i mjeteve të mjaftueshme të jetesës mund të bazohet në para të gatshme, çeqe udhëtimesh dhe karta krediti në posedimin e shtetasit të vendit të tretë. Deklaratat e sponsorizimeve, kur deklarata të tilla parashikohen nga legjislacioni kombëtar dhe garancionet/ftesat nga nikoqirët, siç përcaktohet nga legjislacioni kombëtar, në rast se shtetasi i vendit të tretë qëndron me një mikpritës, mund të përbëjë gjithashtu dëshmi të mjeteve të mjaftueshme të jetesës. Vlefshmëria e një karte krediti mund të verifikohet duke kontaktuar kompaninë lëshuese, ose duke përdorur lehtësira të tjera të disponueshme në pikën e kalimit kufitar (p.sh. zyrat e këmbimit). Ftesa nga nikoqirët mund të verifikohet duke kontaktuar drejtpërdrejt nikoqirin ose duke verifikuar mirëbesimin e koniqirit nëpërmjet pikave kombëtare të kontaktit të shteteve anëtare në të cilat banon nikoqiri.
15. A është gjithmonë i nevojshëm sigurimi mjekësor i udhëtimit për të udhëtuar në Zonën Shengen?
Sigurimi mjekësor i udhëtimit nuk është i detyrueshëm për shtetasit e vendeve të treta pa viza. Sidoqoftë, rekomandohet të merrni një të tillë në rast të udhëtimit në vendet e Shengenit.
16. Nëse planifikoj të vizitoj një mik apo të afërm që jeton në Zonën Shengen, a do të më duhet të jap ndonjë informacion specifik për këtë person në kufi?
Mund t'ju kërkohet të jepni informacion për këtë person. Rekomandohet të keni të paktën adresën dhe numrin e kontaktit.
17. Pasi të zbatohet udhëtimi pa viza, a mund të udhëtoj nga një vend Shengen në një vend tjetër?
Nuk ka kontrolle kufitare midis vendeve në zonën Shengen. Megjithatë, kontrollet kufitare kryhen ndërmjet vendeve të Shengenit dhe Bullgarisë, Qipros dhe Rumanisë (Shtetet Anëtare të BE-së që ende nuk e zbatojnë plotësisht acquis Shengen).
18. Nëse qëndroj më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi ose vizë afatgjatë), ose punoj në Zonën Shengen (pa leje pune), çfarë mund të ndodhë?
Një jo-shtetas i BE-së që qëndron në Zonën Shengen për më shumë se 90 ditë (pa leje qëndrimi, ose vizë qëndrimi afatgjatë) qëndron në mënyrë të paligjshme, gjë që mund të rezultojë në ndalim të rihyrjes në Zonën Shengen. Punësimi pa leje pune në Zonën Shengen është gjithashtu i paligjshëm (edhe nëse është përmë pak se 90 ditë) dhe gjithashtu mund të rezultojë në ndalim të rihyrjes në Zonën Shengen. Në varësi të shtetit anëtar, mund të zbatohen edhe gjoba administrative. Keqpërdorimi dhe qëndrimi përtej periudhës së lejuar mund të çojnë në gjobë financiare dhe të rezultojnë në dëbimin dhe ndalimin e hyrjes në Zonën Shengen deri në 5 vjet.
19. Cilat janë arsyet pse policia kufitare mund të refuzojë hyrjen tuaj në Zonën Shengen?
Mbajtësve të pasaportës së Kosovës mund t'u refuzohet hyrja në një nga shtetet anëtare të Zonës Shegen në rastet e mëposhtme:
(a) nuk kanë dokumente të vlefshme udhëtimi;
b) kanë dokument udhëtimi fals (të falsifikuar/shtrembëruar);
(c) nuk kanë vizë të vlefshme, kur kjo kërkohet, leje qëndrimi, ose vizë qëndrimi afatgjatë të lëshuar nga një shtet Shengen;
(d) ata posedojnë viza, ose leje qëndrimi false (të falsifikuara/shtrembëruara);
(e) nuk kanë dokumentacion të përshtatshëm që arsyeton qëllimin dhe kushtet e qëndrimit;
(f) ata kanë qëndruar tashmë për 90 ditë gjatë çdo periudhe 180-ditore (që nënkupton, duke marrë parasysh periudhën 180-ditor që i paraprin çdo dite qëndrimi) në zonën pa kontrolle të kufirit të brendshëm, ose në territorin e Bullgarisë, Qipros ose Rumanisë:
(g) atyre u mungojnë mjetet e mjaftueshme të jetesës në lidhje me periudhën dhe formën e qëndrimit, ose mjetet për t'u kthyer në vendin e origjinës ose transitit;
(h) ata janë persona për të cilët është lëshuar një sinjalizim me qëllim të refuzimit të hyrjes në Sistemin e Informacionit Shengen ose në bazat e të dhënave kombëtare;
(i) ata përbëjnë kërcënim për politikën publike, sigurinë e brendshme, shëndetin publik, ose marrëdhëniet ndërkombëtare të një ose më shumë shteteve Shengen.