Willkommen auf den Seiten des Auswärtigen Amts

Deklaratë nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, 28 maj 2023

Bild-Logo-Botschaft

Bild-Logo-Botschaft, © Auswärtiges Amt

31.05.2023 -

Deklaratë nga Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, 28 maj 2023

Ne e përsërisim deklaratën tonë të 26 majit që dënon vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme për përmbajtje. Në këtë kontekst, Quint-i dhe BE-ja presin që autoritetet e Qeverisë së Kosovës të mos ndërmarrin asnjë masë të re për hyrje me forcë në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Kryetarët e zgjedhur gjithashtu duhet të tregojnë përmbajtje dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të demonstruar përkushtimin dhe përgjegjësinë e tyre për të përfaqësuar dhe për t’iu shërbyer të gjithë anëtarëve të komuniteteve të tyre.

Njëkohësisht, i paralajmërojmë fuqishëm të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë në lirinë e lëvizjes, të cilat mund të ndezin tensione ose të nxisin konflikt. Veçanërisht jemi të shqetësuar për sigurinë dhe mirëqenien e civilëve, policëve, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it. Veprimet e reja të njëanshme do të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet me vendet e Quint-it dhe me BE-në.

Quint-i dhe BE-ja theksojnë se rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe pranimit në BE është përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ua rikujtojmë palëve që të punojnë së bashku në hapat e ardhshëm për zbatimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të arritur në shkurt dhe mars të këtij viti, duke përfshirë edhe për Asociacionin dhe të marrin pjesë në mënyrë konstruktive dhe të sinqertë në takimet e ardhshme të dialogut.